Postimi i Barcelonës në ‘Twitter’ më 2009: “Barça prodhon talentë, Reali blen”

  • 13 July 2019 - 10:30
Postimi i Barcelonës në ‘Twitter’ më 2009: “Barça prodhon talentë, Reali blen”

Dikur, Barcelona krenohej me akademinë “La Masia”, nga e cila shkollë kanë dalë talentë të jashtëzakonshëm që kanë lënë gjurmë në botën e futbollit.

Teksa krenohej, në vitin 2009 edhe kishte thumbuar Real Madridin me një postim në “Twitter”, ku ishte shkruar; “Barça prodhon talentë, Reali i blen ata”.

Postimi i Barcelonës ishte bërë me 17 qershor, atëherë kur Reali kishte nisur transferimet e shumta, që erdhi edhe deri të thyerja e rekordit atë kohë – Cristiano Ronaldo u ble për 94 milionë euro nga Manchester United.

Karim Benzema, Kaka, Xabi Alonso – janë të tjerë lojtarë që u blen në verën e vitit 2009.

Por, 10 vite më pas, si për inat, është Barcelona ajo që ka shpenzuar më së shumti në Evropë.

Image

Me ardhjen e Antoine Griezmann, Barcelona tani ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro që nga vera e vitit 2014 (1.08 miliardë), më shumë se çdo klub.

Katalunasit kanë kaluar në këtë aspekt tri klubet angleze, Manchester City (996 milionë), Manchester United (890 milionë) dhe Chelsea (875), që gjenden menjëherë pas Barcelonës.

Kurse Real Madridi, nga sezoni 2014/15, renditet i teti në listën e klubeve që kanë shpenzuar më së shumti me 755 milionë euro.

Gjatë këtyre pesë viteve, Barcelona gjithashtu edhe ka shitur shumë lojtarë. Ka fituar 627 milionë euro me largimet e futbollistëve, kurse nga shitjet Reali ka arkëtuar 543 milionë euro.

(Kosova Sot Online)