Ronaldo kthehet nga pushimet, tifozët: Duam Champions Leaguen

  • 13 July 2019 - 11:30
Ronaldo kthehet nga pushimet, tifozët: Duam Champions Leaguen

Ronaldo i ka dhënë fund pushimeve, ai është duke u stërvitur për herë të parë me trajnerin e ri, Maurizio Sarri.

Para se t’i bashkohet skuadrës në stërvitje, Cristiano Ronaldo është paraqitur në J-Medical, aty ku do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore në prag të fillimit të sezonit të ri.

34-vjeçari u prit me ovacione nga tifozët e pranishëm para selisë së Juventusit, duke i bërë edhe një kërkesë të veçantë: “Na sill Championsin”, dëgjohen disa zëra mes turmës, që edhe një herë presin që portugezi të jetë përcaktues në Ligën e Kampionëve në rrugën e tyre drejt këtij trofeu, që e presin prej 23 vitesh.

Pavarësisht paraqitjes mbresëlënëse me het-trik kundër Atletico Madrid, sezoni i kaluar në Champions League nuk ishte i zakonshëm për Ronaldon.

Ai shënoi vetëm 6 gola në 9 paraqitje, shifër e ulët duke parë statistikat në shtatë vitet e fundit te Reali. Nga viti 2011 deri më 2018, CR7 kishte shënuar gjithmonë të paktën 10 gola – kurse rekordin historik e mbanë me 17 finalizime në sezonin 2013/14 ku Reali fitoi La Deciman.

(Kosova Sot Online)