Skënderbeu s’dorëzohet, vendimin e UEFA-s e CAS-it e dërgon në Gjykatën Federale Zvicerane

  • 13 July 2019 - 16:16
Skënderbeu s’dorëzohet, vendimin e UEFA-s e CAS-it e dërgon në Gjykatën Federale Zvicerane

Rreth 24 orë pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) – që e la në fuqi vendimin e UEFA-s për ta dënuar Skënderbeun për kurdisje të ndeshjeve – Skënderbeu ka reaguar fuqishëm, duke bërë të ditur se do të paraqesë ankesë në Gjykatën Federale të Zvicrës. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) bëri të ditur të premten e ka lënë në fuqi  vendimin e UEFA-s, të marrë më 29 mars, që e shpalli fajtor Skënderbeun për disa ndeshje të kurdisura në Kupat e Evropës, duke e dënuar me 10 vjet mospjesëmarrje në garat evropiane dhe një gjobë prej 1 milionë eurosh, 

Një vit më parë Skënderbeu kishte kërkuar nga CAS-i që të hiqej ky dënim, pasi që klubi shqiptar besonte se UEFA nuk kishte mjaftueshëm prova për ta mbështetur vendimin e tyre. Por, tentimi i tyre dështoi.

 “Në baze të dëshmive ne dispozicion Paneli i KAS mund te konfirmojë se Skënderbeu është përgjegjës për kurdisjen e ndeshjeve dhe dënimi i dhënë nga UEFA ishte i justifikuar. Ne e rrëzojmë apelin dhe konfirmojmë dënimin”, thuhet në vendimin e dhënë nga CAS-i dje.

Skënderbeu ka reaguar fuqishëm ndaj këtij vendimi të CAS-it, duke e quajtur rastin e paragjykuar. Klubi korçar pretendon se CAS-i nuk i ka marrë parasysh mbi 50 kundërprova të tyre.

“Së pari, vendimi i CAS në formën e tij të plotë dhe integral nuk i është komunikuar ende KF Skënderbeut, veprim i cili nën dritën e ngjarjeve të ndodhura, nuk është më i dyshimtë. Kjo pasi i gjithe proçesi ndaj klubit tonë ka qënë i paragjykuar, i njëanshem dhe i paracaktuar që prej vitit 2016”, shkruhet në reagimin e klubit.

“Nuk mundet të mos jetë i paragjykuar një proçes ku KF Skënderbeu është dënuar në bazë të gjoja përceptimit publik të klubit dhe të personave lidhur me të, përceptim të cilin institucioni i UEFA’s, veçanërisht inspektorët e lidhur me çështjen kanë tentuar të krijojnë, përmes metodave dhe formave nga më të paskrupullta”.

“Nuk mund të mos jetë i njëanshëm një proçes i cili mbështetet mbi raporte të cilat nuk kane asnjë bazë të provuar shkencore dhe të cilat nuk kanë të bëjnë fare me analiza të mirëfillta sportive. Është e papranueshme që CAS të marrë si të mirëqëna raportet e BFDS, sistem për të cilin askush nuk ka dijeni si funksionon, përfshirë edhe CAS-in”.

“Është e papranueshme që CAS të mos marrë në konsideratë raportet shkencore të ekspertëve të basteve sportive dhe të ekspertëve sportiv të KF Skënderbeut, të cilët në mënyrë metodike dhe shkencore kane hedhur poshtë çdo argument të ngritur nga UEFA”.

“Mbi të gjitha, është e papranueshme që të mos merren në konsiderate mbi 50 kundër-prova të paraqitura nga pala jonë, kur nga ana tjetër, e gjithë strategjia e inspektorëve të UEFA’s mbështetej mbi dëshmi personash anonim (as identiteti i tyre nuk na është bërë i ditur) ose personash të cilët kanë konflikt të hapur interesi në lidhje me procesin”.

“Nuk mund të mos jetë i paracaktuar një vendim për të cilin vendimmarrës janë njerez me lidhje direkte ose indirekte me palën akuzuese. Në lidhje me këtë, KF Skënderbeu kishte bërë kërkesë për perjashtimin e kryetarit të trupës arbitrale, i cili, në mënyre të shprehur kundershtonte kerkesën tonë, në një kohë kur detyrimi i tij deontologjik është terheqja nga gjykimi i çështjes në rast të kërkimit të argumentuar të njërës prej palëve”.

“Është e qartë që emerimi i ketij personi ka qënë në funksion të mbrojtjes së interesave të inspektorëve të UEFA’s dhe personave të lidhur më këtë institucion. Në kushtet kur 2 nga 3 arbitrat e çështjes kanë qënë të mandatuar për të mbrojtur njërën palë, i vetmi konkluzion logjik është parapërcaktimi i rezultatit final”.

“Sot mund të themi me sigurinë e plotë se sistemi i drejtësisë sportive i ngritur dhe i mbrojtur me fanatizëm nga federatat ndërkombëtare është një fasade dhe mburojë e një sistemi të kalbur dhe të korruptuar që egziston brënda institucioneve të qeverisjes sportive”.

“Në keto kushte, me vetëdijen që beteja ligjore në këtë sistem drejtësie është e kotë, bëjmë me dije se, pas konsultimit me perfaqesuesit tanë ligjore, brënda muajit Korrik 2019, KF Skënderbeu do të paraqesë rekurs pranë Gjykatës Federale Zvicerane kundër vendimit të CAS datë. 12.07.2019. Duke qënë të bindur mbi pafajësine tonë, ruajmë besimin se e drejta do të vihet në vënd”.

(Kosova sot Online )