Prishtina nis përgatitjet, i provon dy futbollistë të huaj dhe një shqiptar

  • 14 July 2019 - 15:54
Prishtina nis përgatitjet, i provon dy futbollistë të huaj dhe një shqiptar

Prishtina do ta nisë nesër fazën përgatitore për edicionin e ri të kampionatit 2019/20 dhe gjatë kësaj kohe do t’i provojë tre futbollistë të rinj.

Klubi nga kryeqyteti njoftoi përmes një postimi në faqen e vet zyrtare në Facebook se nga kjo e hënë do t’i nisë përgatitjet parasezonale edhe pse në mungesë të disa futbollistëve që ende s’i kanë kryer pushimet verore.

Megjithatë, bardhekaltrit do t’i provojnë tre futbollistë të rinj, një brazilian, një jukorean dhe një shqiptar nga Kroacia.   

Adem Jahaj, ish-futbollist i kategorive të reja të Osijekut në Kroaci, do të jetë pjesë e përgatitjeve parasezonale me Prishtinën.

“Skuadra nuk do të jetë tërësisht e kompletuar deri të martën apo të mërkurën kur disa nga futbollistët kthehen nga pushimi jashtë vendit. Në prova do të vijnë edhe tre futbollistë, do të sprovohet një brazilian, një jugkorean dhe një shqiptar nga Kroacia, ish-anëtari i kategorive të reja të Osijekut në Kroaci, mbrojtës i majtë, Adem Jahaj”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.

Ndërkohë, si futbollist i ri i skuadrës do të prezantohet ish-futbollisti i deritanishëm i Vëllaznimit, anëtari i grupmoshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës, futbollisti 18 vjeç i disa pozitave mbrojtëse, Arti Maloku.

(Kosova Sot Online)