Riza Durmishi drejt largimit nga Lazio, e duan në Francë dhe Turqi

  • 15 July 2019 - 09:43
Riza Durmishi drejt largimit nga Lazio, e duan në Francë dhe Turqi

Duket se aventura e mbrojtësit shqiptar Riza Durmishit në Lazio do të marrë fund këtë verë. Olympique Marseille dhe Besiktasi janë duke luftuar për shërbimet e 25-vjeçarit.

Durmishi, i cili ka prejardhje shqiptare por luan për Danimarkën, iu bashkua Lazios para një viti, por asnjëherë nuk gjeti vend në formacionin e parë, duke i regjistruar vetëm 19 paraqitje në të gjitha garat sezonin e kaluar edhe atë shumicën nga stoli.

Megjithatë, mbrojtësi shqiptar ishte i pafat sepse kishte probleme të shumta me lëndime në shpinë dhe në kofshe, prandaj sipas mediave lokale, ai do të largohet ketë verë nga kryeqyteti italian, të paktën si lojtar i huazuar. 

Sipas L’Equipe në Francë, Marseille është duke e vëzhguar situatën e tij dhe është i gatshëm të bëjë ofertë për të.

Por, Il Messaggero këmbëngul se Besiktasi ka nisur bisedimet për ta marrë Durmishin në huazim me obligim për ta blerë në fund të sezonin për 8 euro në total.

25-vjeçari, i cili i ka bërë 23 paraqitje për Danimarkën, ka kontratë me Lazion deri në qershor të vitit 2023.

(Kosova Sot Online)