Presidenti i PSG-së në telashe, e gënjeu gjykatësin dhe e pagoi 2 milionë euro menaxherin e lojtarit

  • 15 July 2019 - 11:39
Presidenti i PSG-së në telashe, e gënjeu gjykatësin dhe e pagoi 2 milionë euro menaxherin e lojtarit

Presidenti i Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi, ka kërkuar personalisht që menaxheri i Javier Pastores të paguhet për transferimin e lojtarin në klubin e tij, si dhe i ka dhënë informacione të pasakta një gjykatësi francez, sipas disa dokumenteve të zbuluara dhe të publikuara në The Guardian.

Al-Khelaifi e kishte nënshkruar një letër dërguar shefit të shtabit të emirit të ardhshëm të Katarit, duke i kërkuar atij t’ia paguajë 2 milionë euro menaxherit të Javier Pastores, pas transferimit të argjentinasit nga Palermo në PSG pas një marrëveshjeje në vlerë 40 milionë euro plus bonuse në vitin 2011.

Po ashtu, ai kishte kërkuar se edhe 200 mijë dollarë t’i paguheshin një kompanie private të Katarit me emrin Oryx QSI, e udhëhequr nga vëllai i tij, për shpenzime.

Është e ndaluar me ligj që presidenti i një klubi t’i paguajë menaxherët e lojtarëve. Sipas nenit të gjashtë të rregullores së FIFA-s, “çfarëdo pagese për shërbimet e një ndërmjetësuesi do t’i bëhet ndërmjetësuesit ekskluzivisht nga klienti i ndërmjetësuesit”. 

Federata e Futbollit e Francës ka konfirmuar për The Guardian se bërja e një pagese të tillë e shkel rregulloren e saj. 

Letra e zbuluar, e shkruar në arabisht, po ashtu sugjeron se Al-Khelaifi i kishte dhënë informacione të pasakta gjykatësit Renaud Van Ruymbeke, duke gënjyer se ai nuk kishte autoritet për të nënshkruar.

“Nuk e kam bërë unë nënshkrimin, nuk kam mundur ta jap urdhrin për shpenzime për Oryx QSI 2011”, i pati thënë ai gjykatësit.

Por, letra ishte shkruar në librin e shënimeve të Oryx QSI dhe ishte nënshkruar nga Nasser.

(Kosova Sot Online)