5 pikë në 3 ndeshje me Kosovën – Challandes në “qiellin e shtatë”

  • 15 July 2019 - 12:21
5 pikë në 3 ndeshje me Kosovën – Challandes në “qiellin e shtatë”

Bernard Challandes po e shijon në maksimum fillimin e furishëm të Kosovës në kualifikime e Euro 2020. 5 pikë në 3 ndeshje janë statistika mjaft të kënaqshme për përzgjedhësin e Kosovës.

Përfaqësuesja e Kosovës i ka nisur në mënyrë bravuroze kualifikimet për Euro 2020.

5 pikë në 3 ndeshje, janë statistika impresionuese, të cilat e kanë çuar në “qiellin e shtatë” trajnerin Bernard Challandes.

Zvicerani ka folur për fillimin e kampanjës kualifikuese të “Dardanëve”, të cilët po marrin pjesë për herë të parë në eliminatore të një Evropiani.

“Jam mjaft, mjaft i lumtur. I kemi zhvilluar tri ndeshje, dy në udhëtim dhe një në shtëpi. Dhe, 5 pikë janë rezultat mjaft i mirë. Mirëpo, gjithmonë e kam thënë: nuk është vetëm tek rezultati, por se si kemi luajtur. Ne kemi bërë lojë të mirë kundër Bullgarisë në shtëpi, edhe pse kemi barazuar 1:1. Katër pikë ndaj Bullgarisë ishte diçka shumë e mirë dhe barazimi në Mal të Zi ishte OK, edhe pse kishim mundësi të fitonim, por ishte rezultat i mirë”, theksoi Challandes. 

Kosova zë vendin e tretë në grup me 5 pikë, një më pak se Anglia dhe Republika Çeke, të cilat e ndajnë pozitën e parë dhe të dytë me pikë të njëjta.

“Dardanët” do t’i zhvillojnë dy ndeshje në shtator, më 7 e presin Çekinë në shtëpi dhe më 10 shtator e vizitojnë Anglinë.

(Kosova Sot Online)