Ndodh në Kosovë: Tifozët e marrin në dorë klubin e dënuar për kurdisje

  • 15 July 2019 - 15:51
Ndodh në Kosovë: Tifozët e marrin në dorë klubin e dënuar për kurdisje

Diçka e pazakontë ka ndodhur në futbollin kosovar, ku çudirat gjithnjë ndodhin. Fushë Kosova ka mbetur pa kryesi prejse u dënua nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) për manipulime, përkatësisht për kurdisje. Me këtë rast klubi bardh e kaltër në edicionin e ri do të garojë në kategorinë e tretë të futbollit kosovar.

Por, pavarësisht largimit të kryesisë, klubi nuk ka mbetur pa “zot shtëpie”. Fushë Kosova ka mbetur në duart e tifozëve të cilët e kanë marrë përsipër riorganizimin e klubit, ngritjen e tij dhe përmirësimin e imazhit nga kurdisjet, pas që nga paslufta ky klub dy herë është zënë duke kurdisur ndeshje për çka ishte dënuar dy herë.

“Ne si ‘PAMPURA’ jemi duke punuar maksimalisht dhe pa ndërprerë për të rikthyer klubin tonë të zemrës, njëherësh edhe për ta rikonstruktuar totalisht tashmë kemi arritur të këndellim shumë gjëra prej ditës që kemi marrë drejtimin dhe përgjegjësit e klubit tonë të qytetit. Ne jemi zotuar të jemi shumë transparent dhe të hapur në secilën sferë që punojmë rreth klubit”, thuhet në njoftimin e tifozëve, të cilët tregojnë se po përkrahen dhe po ndihmohen edhe nga ajo që e dënoi Fushë Kosovën – Federata e Futbollit.

“Synimi një dhe i vetëm. Këndellja e klubit, pastrimi i emrit dhe kthimi i klubit aty ku e ka vendin”, thuhet në një postim tjetër të “Pamuprave” ë faqen e tyre në Facebook.


(Kosova Sot Online)