Kampionati Botëror në Spanjë: Kosova pa flamur

  • 16 July 2019 - 18:12
Kampionati Botëror në Spanjë: Kosova pa flamur

Përkundër paralajmërimeve nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Spanja sërish nuk ka pranuar ta shfaqë flamurin e Kosovës, duke rrezikuar kështu të mos organizojë turne të mëdha sportive në të ardhmen.

Për momentin është duke u zhvilluar ndeshja mes ekipit kombëtar të Kosovës U-21 dhe Kroacisë, në Kampionatin Botëror të Hendbollit, që po zhvillohet në Spanjë. Kosova është duke pësuar disfatë 19:13, mirëpo diçka tjetër ka kapur vëmendjen në Gadishullin Iberik.

Gjatë transmetimit direkt të kësaj ndeshjeje, flamuri i Kosovës dhe Kroacisë nuk u shfaqën në ekran, për dallim nga ndeshjet e tjera. Dallimin mund të vëreni në dy fotografitë e mëposhtme.

Për dallim nga transmetimi direkt, ceremonia kishte qenë e rregullt dhe Kosova ishte përfaqësues me himn dhe me simbole shtetërore.

Probleme për këtë Botëror Spanja i kishte sjellë Kosovës edhe gjatë shortit për këtë grup pasi që e kishte prezantuar Kosovën me flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit.

Për këtë veprim, Spanja kishte marrë vërejtje dhe në të kaluarën edhe ishte kërcënuar se nuk do të ketë të drejtë të organizojë turne të tjerë të mëdha sportive nëse nuk i respekton të drejtat e Kosovës.


(Kosova Sot Online)