Formacionet zyrtare: Feronikeli synon të shkruajë historinë në Champions kundër TNS

  • 16 July 2019 - 19:40
Formacionet zyrtare: Feronikeli synon të shkruajë historinë në Champions kundër TNS

Me vetëm rreth një orë të mbetur deri në fillim të ndeshjes mes Feronikelit dhe kampionit të Uellsit, The New Saints, UEFA i ka publikuar formacionet zyrtare të të dy skuadrave për këtë përballje në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Kampioni i Kosovës e pret sonte në orën 20:45, kampionin e Uellsit TNS në stadiumin Fadil Vokrri, në ndeshjen e kthimit të rundit të parë kualifikues, duke ditur se ka një rezultat të favorshëm falë barazimit 2:2 më rikthim dramatik nga ndeshja e parë në Uells javën e kaluar.

Nikli po humbiste 2:0 nga TNS deri në minutën e fundit të ndeshjes pas golave nga Greg Draper dhe Aeron Edwards, por dy gola të vonshëm ama të shpejtë nga Mevlan Zeka dhe Astrit Fazliu e kompletuan rikthimin sensacional të klubit kosovar të martën në Park Hall.

Klubi nga Drenasi mund të kalojë në rundin e dytë kualifikues me çfarëdo fitore dhe madje edhe me barazim pa gola dhe 1:1. Barazimi 2:2 e çon ndeshjen në kohën shtesë dhe penallti potencialisht, ndërsa çfarëdo humbje apo çfarëdo barazimi 3:3 dhe më lart e eliminon Niklin.

Fitues i dyfishtë në Kosovë, i ligës dhe kupës, Nikli mund ta shkruajë historinë nëse e kalon këtë rund, duke u bërë klubi i parë kosovar që arrin kaq larg në kualifikime për Ligën e Kampionëve, garën më prestigjioze evropiane për klube. Për ta arritur këtë sukses, trajneri Zekirija Ramdani e ka vendosur besimin në 11-shen e tij startuese.

Image

(Kosova Sot Online)