Rooney: Gabimi i vetëm i Kloppit është që punon për Liverpoolin

  • 16 July 2019 - 21:22
Rooney: Gabimi i vetëm i Kloppit është që punon për Liverpoolin

Wayne Rooney e ka zbuluar adhurimin e tij për Jurgen Kloppin, duke e quajtur trajnerin e Liverpoolit një burrë të mrekullueshëm edhe pse ai për momentin punon për rivalin më të madh të Rooneyt.

Jurgen Klopp e mori drejtimin e Liverpoolit në vitin 2015, pasi u bë i famshëm për arritjet e tij me Borussia Dortmundin, ku i fitoi dy tituj të Bundesligës, një titull të Kupës së Gjermanisë dhe arriti deri në finale të Ligës së Kampionëve në sezonin 2012/13.

Ai pastaj e udhëzoi Liverpoolin deri në finale të Ligës së Evropës në sezoni 2015-2016 dhe në finale të Ligës së Kampionëve në sezonin 2017/18. Në të dyja rastet, ai arriti ta fitojë vetëm medaljen e argjendtë.

Megjithatë, gjermani më në fund e fitoi medaljen e artë dhe trofeun e Ligës së Kampionëve, pasi që Liverpooli triumfoi kundër Tottenhamit në finalen e sezonit të kaluar të Championsit, falë golave të Mohamed Salahut dhe Divock Origit.

Në po të njëjtin sezon, 2018/19, Liverpooli e mbylli sezonin e Premierligës duke e humbur për pak titullin e kampionit, pasi që 97 pikët e grumbulluara e lanë skuadrën e Kloppit pak pas Manchester Cityt, që i grumbulloi 98.

I njohur si njëri ndër trajnerët më të mirë në botë, Kloppi u lavdërua edhe nga legjenda e Manchester Unitedit dhe Evertonit, Rooney.

“Jurgen është një trajner për të cilin do të donte të luante çdo lojtar. Ju  mund ta shihni se sa argëtuese është për lojtarët e tij të luajnë për të. E takova atë një herë, ai është një djalosh i mrekullueshëm”, ka thënë Rooney.

“Gabimi i tij i vetëm është se ai punon për Liverpoolin dhe është i suksesshëm aty”.

“Unë kam shumë respekt për Jurgen Kloppin për gjithçka që ka arritur ai, jo vetëm në Liverpool, por edhe në Dortmund”. 

(Kosova Sot Online)