Mbyllet pjesa e parë në “Fadil Vokrri”: Feronikeli, 45 minuta larg historisë

  • 16 July 2019 - 21:37
Mbyllet pjesa e parë në “Fadil Vokrri”: Feronikeli, 45 minuta larg historisë

Vetëm 45 minuta e ndajnë Feronikelin nga realizimi i ëndrrës dhe shkrimi i historisë. Klubi drenicas mund të bëhet klubi i parë kosovar në histori që e arrin rrethin e dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Pjesa e parë e përballjes mes Feronikelit dhe The New Saints në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të rrethit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, është mbyllur me barazim pa gola (0-0).

Klubi nga Drenasi mund të kalojë në rundin e dytë kualifikues me çfarëdo fitore dhe madje edhe me barazim pa gola dhe 1:1. Barazimi 2:2 e çon ndeshjen në kohën shtesë dhe penallti potencialisht, ndërsa çfarëdo humbje apo çfarëdo barazimi 3:3 dhe më lart e eliminon Niklin.

Paraqitja e klubit kosovar në pjesën e parë i lë mbi tetë mijë tifozët e pranishëm në stadium dhe stafin e Feronikelit të shpresojnë se ata do ta vazhdojnë edhe  më tutje rrugëtimin në këtë garë prestigjioze të Evropës.

Kampioni i Kosovës e dominoi plotësisht ndeshjen sa i përket numrit të rasteve të krijuara për të shënuar gol, përkundër që kampioni uellsian e pati dominimin në posedim të topit.

Formën e mirë djemtë e Zekirija Ramadanit e shfaqën qysh në fillim të ndeshjes, kur Besmir Bojku e bëri një goditje të mirë në drejtim të portës, pas një depërtimi të mirë të Mendurim Hotit. Megjithatë, ky rast i krijuar qysh në minutën e tretë nuk u konkretizua në gol.

Edhe minutat e tjerë të pjesës së parë vazhduan me të njëjtën histori: Feronikeli krijonte mundësi të mira për të shënuar, mirëpo goditja e fundit ose devijohej nga mbrojtësit, ose shkonte jashtë kuadratit të portës.

Mevlan Zeka, Astrit Fazliu  – të cilët shënuan në ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave në Uells -patën raste të mira gjatë 45 minuta të parë të kësaj përballjeje, mirëpo tentimet e tyre nuk u konkretizuan në gola, duke bërë që pjesa e parë t mbyllej pa gol nga ana e drenicasve.

Përkundër që Feronikeli ishte më i rrezikshëm në këtë pjesë të parë, The New Saints dominoi në aspektin e posedimit të topit. Megjithatë, uellsianët nuk arritën të krijojnë raste me këtë posedim të topit dhe Jamie Mullan ishte i vetmi lojtar i TNS që pati rast për ta kaluar në epërsi skuadrën e tij.


(Kosova Sot Online)