PSG-ja e kërcënon Neymarin: Mund të mbetesh në stol deri në vitin 2022

  • 17 July 2019 - 08:50
PSG-ja e kërcënon Neymarin: Mund të mbetesh në stol deri në vitin 2022

Për shkak të kërkesës së tij për t’u larguar nga skuadra, Neymari është paralajmëruar nga presidenti i Paris Saint-Germaini, Nasser Al-Khelaifi, se mund të mbetet në stol deri në fund të kontratës së tij, në vitin 2022.

Që kur u transferua në Paris Saint-Germain, për Neymarin ka pasur spekulime se do të largohet gjatë çdo afati kalimtar të verës. Megjithatë, këtë herë bëhet fjalë për Barcelonën e jo për Real Madridin.

Gjërat kanë lëvizur shpejt dhe mediumet e ndryshme raportojnë për oferta të mëdha nga Barcelona për PSG-në për ta blerë brazilianin. Një gazetë spanjolle pretendon se katalonasit i kanë ofruar 40 milionë euro dhe Philippe Coutinhon e Ousmane Dembelen për Neymarin.

Përveç që Barcelona është e gatshme t’i shesë dy lojtarët që i transferoi me 222 milionë eurot e fituara nga shitja e Neymarit para dy vjetëve, edhe vetë braziliani është duke tentuar ta detyrojë klubin francez ta shesë atë.

Neymari nuk iu bashkua skuadrës së Paris Saint-Germainit për përgatitjet parasezonale në kohë dhe ai është i gatshëm edhe të pranojë ofertë më pagë më të ulët për t’u kthyer në “Camp Nou”.

Veprimet e tij nuk i kanë pëlqyer aspak drejtuesve të PSG-së dhe tani raportohet se ata janë të gatshëm ta dënojnë Neymarin për veprimet e tij.

Sipas të përditshmes franceze, El Pais, PSG-ja është duke i marrë veprimet e Neymari si ofendim ndaj Katarit. “Qatari Sports Investments”, kompania investuese nga familja mbretërore e Katarit, e ka pronësinë e PSG-së dhe si rezultat, presidenti Nasser Al-Khelaifi e ka kërcënuar Neymarin se mund të mbetet në stol për gjithë pjesën e mbetur të kontratës së tij.

Fakti që kontrata e Neymarit nuk përfundon deri në vitin 2022 e vështirëson situatën e brazilianit. Adrien Rabioti kishte qenë në një situatë të ngjashme sezonin e kaluar. Pasi që nuk pranoi ta rinovojë kontratën e tij, PSG-ja e detyroi të stërvitet me të rinjtë dhe e la jashtë skuadrës së ndeshjeve deri në fund të sezonit, kur i përfundoi kontrata.

Por, Neymari Sr, përfaqësuesi dhe babai i futbollistit, i ka kthyer menjëherë përgjigje presidentit të PSG-së, duke i thënë atij se lojtarët e tjerë të PSG-së do të revoltoheshin që nuk po luajnë bashkë me yllin e skuadrës së tyre.

(Kosova Sot Online )