Solskjaer: Unë do t’ia jap sfidën e re Pogbas këtu

  • 17 July 2019 - 09:43
Solskjaer: Unë do t’ia jap sfidën e re Pogbas këtu

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka thënë se ai dëshiron t’ia japë mesfushorit të tij që po e kërkon largimin, Paul Pogbas, “një sfidë të re” në “Old Trafford”.

Vetë Paul Pogba i kishte përdorur pikërisht këto fjalë muajin e kaluar, kur e deklaroi dëshirën e tij për t’u larguar nga Manchester Unitedi gjatë këtij afati kalimtar të verës.

“Mendoj se, për mua, kjo mund të jetë koha e duhur për ta pasur një sfidë të re diku tjetër”, kishte thënë ylli francez.

Pastaj, në fillim të këtij muaji, agjenti i Pogbas, Mino Raiola, tha se ai është në proces për t’ia gjetur një klub të ri klientit të tij, pas lajmeve se Real Madridi dhe Juventusi janë të interesuar për 26-vjeçarin.

Por, të martën, Solskjaer insistoi se Pogba nuk ka nevojë të largohet nga Manchester Unitedi për ta gjetur sfidën e re të cilën po e kërkon.

“Nuk janë i mërzitur nga asgjë që ai e ka thënë sepse ne i kemi pasur shumë biseda dhe unë e di saktësisht se çfarë po mendon Pauli. Unë mund t’ia jap atij një sfidë të re këtu”, u shpreh Solskjaer në një intervistë për BBC.

Megjithatë, norvegjezi nuk pranoi t’u garantojë tifozëve se Pogba do të qëndronte në klub, edhe pse ai insistoi se klubi nuk kishte marrë ende asnjë ofertë për 26-vjeçarin.

“Unë duhet të jem i kujdesshëm – nuk mund të zhytem në këto gjëra, në pyetje hipotetike dhe këso gjëra. Por, ne nuk kemi marrë ende asnjë ofertë”, shtoi Solskjaer.

“Unë mund ta them të njëjtën gjë për secilin lojtar. Nëse ne nuk marrin asnjë ofertë për një lojtar, atëherë ne do të duhet t’i paguanim ata që të mos jenë pjesë e skuadrës sonë, apo jo? Nuk kemi marrë asnjë ofertë”.

“Kam folur shumë herë për Paulin, kam thënë se ai është një djalosh dhe futbollist i mrekullueshëm dhe nuk ka qenë kurrë, asnjëherë një problem”.

(Kosova Sot Online)