Reagon Ramiz Lladrovci pas eliminimit të Feronikelit nga Liga e Kampionëve

  • 17 korrik 2019 - 13:14
Reagon Ramiz Lladrovci pas eliminimit të Feronikelit nga Liga e Kampionëve

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, është shprehur krenar me futbollistët e Feronikelit, përkundër që ata pësuan disfatë mbrëmë kundër The New Saints dhe u eliminuan nga Liga e Kampionëve. Ndeshja mes Feronikelit dhe The New Saints në “Fadil Vokrri”, në kuadër të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, nuk shkoi në favor të kosovarëve, të cilët pësuan disfatë me rezultat 1:0.

Rezultati i mirë nga ndeshja e parë (barazim 2:2 në Uells) kishte bërë që skuadra e Feronikelit të shpresonte në fitore dhe kualifikim në rundin e radhës, për t’u bërë skuadra e parë kosovare që e arrin rrethin e dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, kjo ëndërr e Feronikelit mbeti vetëm ëndërr, pasi që klubi kosovar nuk arriti t’i shfrytëzojë rastet e shumta për të shënuar ndonjë gol dhe ta vazhdojë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve. Pas disfatës së sotshme, klubi drenicas do të garojë në kuadër të kualifikimeve për në Ligën e Evropës.

“Kemi mund ma mirë, nuk ishte mbrëmje jona. Ka munguar vetëbesimi dhe fitorja. Ferronikeli e hapi shtegun për suksese tjera, për suksese edhe më të mëdha të futbollit tonë. Krenar me futbollistët tanë!”, shkruan Lladrovci në Facebook. 

Por as eliminimi nga Liga e Kampionëve nuk është fundi për kampionin e Kosovës, pasi që Feronikeli tani do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në garat evropiane në Ligën e Evropës. Drenicasit do të takohen me fituesin e duelit mes  Slovan Bratislava dhe Sutjeska në kualifikime për garën dytësore evropiane, Ligën e Evropës.

Në anën tjetër, TNS do të përballet me Kobenahvn e Danimarkës në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kjo është e 13-ta herë për TNS që garon në kualifikohet për Ligën e Kampionëve. Më së shumti klubi uellsian ka arritur deri në rundin e tretë kualifikues.

(Kosova Sot Online )