FFK-ja organizon turne përkujtimor për nder të legjendës Fadil Vokrri

  • 17 July 2019 - 17:22
FFK-ja organizon turne përkujtimor për nder të legjendës Fadil Vokrri

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do ta organizojë një turne përkujtimor për nder të legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-liderit të saj, Fadil Vokrri, në datëlindjen e tij më 23 korrik, në të cilin do të marrin pjesë veteranët e disa klubeve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Turneu do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 23 korrik dhe do të jetë tradicional duke filluar nga ky vit, njofton FFK-ja.

“Në shenjë nderimi dhe përkujtimit të legjendës së futbollit të Kosovës dhe ish presidentit të FFK-së Fadil Vokrri, i cili vdiq më 9 qershor 2018, Federata e Futbollit e Kosovës do të organizojë Turne Përkujtimor në datëlindjen e tij më 23 Korrik. Turneu do të jetë tradicional dhe do të mbahet çdo vit më 23 korrik. Në këtë turne janë ftuar dhe do të marrin pjesë veteranët e skuadrave të Llapit, Prishtinës, Flamurtari nga Vlora dhe Përzgjedhja e veteranëve nga Maqedonia e Veriut. (Veteranët +45 vjet)”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Orari i ndeshjeve:

Ndeshja e parë do të zhvillohet në orën 18.00

Ndeshja e dytë do të zhvillohet në orën 19.00

Ndeshja e tretë finale do të zhvillohet në orën 20.00.

Ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, vdiq mëngjesin e 9 qershorit 2018, si pasojë e një sulmi në zemër.

Vokrri ka qenë njeriu më meritor që Kosova u pranua në dy shtëpitë qeverisëse të futbollit botëror dhe evropian, FIFA dhe UEFA, në fillim të vitit 2016. 

(Kosova Sot Online)