Maguire e do transferimin në Man United, dëshiron të bëhet si Ferdinandi e Vidici

  • 18 July 2019 - 13:21
Maguire e do transferimin në Man United, dëshiron të bëhet si Ferdinandi e Vidici

Sky Sports News raporton se qendërmbrojtësi i Leicester Cityt, Harry Maguire, dëshiron të transferohet në Manchester Unitedi pasi që synon t’i ndjekë hapat e Nemanja Vidicit dhe Rio Ferdinandit.

Harry Maguire po zemërohet gjithnjë e më shumë me drejtuesit e Leicester Cityt për qëndrimin e tyre ndaj ofertave të Manchester Unitedit këtë verë. “Dhelprat” i kanë refuzuar dy oferta të “Djajve të kuq” gjatë muajit të fundit.

Leicesteri po e kërkon nga Manchester Unitedi një shifër mbi 75 milionë funtet që Liverpooli i pagoi për ta transferuar Virgil van Dijkun nga Southamptoni, që është shuma më e madhe e paguar për ndonjë mbrojtës në histori.

Trajneri Brendan Rodgers i tha Sky Sportit të martën se klubi mbetet i qetë për të ardhmen e Maguire, pasi që Manchester Unitedi nuk ia ka ofruar çmimin e duhur ende.

Oferta e fundit e Manchester Unitedit për anglezin ka qenë rreth 70 milionë funte dhe rivali i qytetit, Manchester City, është shprehur i gatshëm të ofrojë po aq para për t’ia “vjedhur” Maguiren “Djajve të kuq”.

Maguire iu bashkua Leicester nga Hull City gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2017 për 17 milionë funte dhe që nga atëherë i ka bërë 76 paraqitje për klubin anglez. 

(Kosova Sot Online)