Karriera e suksesshme e Armend Dallkut, nga Vushtrria në Evropë

  • 18 korrik 2019 - 17:05
Karriera e suksesshme e Armend Dallkut, nga Vushtrria në Evropë

Armend Dallku i dha fund një karrierë të suksesshme sot. Futbollisti kosovar do të mbahet në mend për kualitetin, por edhe korrektësinë e shfaqur gjatë karrierës së gjatë, e cila nisi në Vushtrri për të vazhduar në garat evropiane, me Vorsklan dhe Kombëtaren shqiptare

IPKO Superliga e Kosovës në futboll sot mbeti më e varfër pasi njëri prej futbollistëve më të mirë të saj, Armend Dallku vendosi t’i vendos këpucët në gozhdë.

Mbrojtësi vushtrrias e kishte një karrierë të gjatë dhe mjaft të suksesshme.

Mbi 535 ndeshje zyrtare në karrierë – 151 ndeshje me fanellën e Prishtinës (2002-2004 dhe 2016-2009 me 5 gola, 3 prej tyre në Evropë dhe 8 asistime, të gjitha në tre vitet e fundit), 1 Kupë, 1 Superkupë dhe një stinor vjeshtor të titullit të kampionit më 2003/04 kur ishte transferuar në Shqipëri (Elbasani, 23 ndeshje, Shqipëria U21 – 5 ndeshje) pastaj kulmin e karrierës e kishte arritur me Vorskla e Ukrainës (292 ndeshje, kapiten skuadre) dhe Kombëtaren e Shqipërisë (64 ndeshje – 1 gol).

Në vitet e fundit ai ishte kthyer në futbollin kosovar, duke i mbrojtur ngjyrat e Prishtinës për herë të dytë.

“Dallku me Prishtinën është ndër 10 futbollistët (i 9-ti) me më së shumti paraqitje pas luftës në katër vite e gjysmë karrierë në kryeqytetin tonë. Sikurse Debatik Curri që është pensionuar nga futbolli vitin e kaluar, edhe Armend Dallkut, iu është afruar dhe do të jetë pjesë e klubit edhe në të ardhmen. Armendi mund të jetë dukur i ashpër, por Armendin e vërtet e çmojnë të gjithë. Si me disiplinën jashtëzakonisht profesionale në trening, si për angazhimin në fushë, si për mikun e madh të çdo njërit jashtë fushës në jetën e përditshme. Armendi do t’i mungoj fushës së blertë, por me Armendin Prishtina do ta vazhdojë bashkëpunimin edhe shumë gjatë më tej”, ka njoftuar klubi Bardhekaltër. 

(Kosova Sot Online)