Juventusi i ofron tre lojtarë në shkëmbim të Pogbës

  • 19 July 2019 - 08:20
Juventusi i ofron tre lojtarë në shkëmbim të Pogbës

Kampioni i Serisë A, Juventusi, është i gatshëm t’i ofrojë tre futbollistët e skuadrës së vet – Cancelon, Costan dhe Mautidin – në shkëmbim për mesfushorin francez të Manchester Unitedit, Paul Pogban.

Pas disa javësh raportime se Juventusi dhe Real Madridi duan t’i sigurojnë shërbimet e Paul Pogbas për sezonin e ardhshëm, kampioni italian më në fund e ka bërë gati një ofertë për “Djajtë e kuq”.

E përditshmja italiane, Corriere della Sera, raporton se Juventusi i ka zgjedhur tre lojtarë të skuadrës për ta ulur çmimin që Manchester Unitedi po e kërkon për fituesin e Kupës së Botës, 150 milionë funte.

Drejtuesit e Juventusit besojnë se ata mund ta bindin Manchester Unitedin ta shesë Pogban këtë afat kalimtar të verës, përkundër insistimit të anglezëve se francezi nuk është për shitje dhe është pjesë e rëndësishme e skuadrës së tyre për sezonin e ardhshëm.

Vetë Paul Pogba e kishte bërë të ditur dëshirën e tij për t’u larguar nga Manchester Unitedi gjatë këtij afati kalimtar të verës, gjatë kohës sa ishte me pushime në Kinë.

“Mendoj se, për mua, kjo mund të jetë koha e duhur për ta pasur një sfidë të re diku tjetër”, kishte thënë ylli francez.

Pastaj, në fillim të këtij muaji, agjenti i Pogbas, Mino Raiola, tha se ai është në proces për t’ia gjetur një klub të ri klientit të tij, pas lajmeve se Real Madridi dhe Juventusi janë të interesuar për 26-vjeçarin. 

(Kosova Sot Online )