Man Unitedi fillon bisedimet me Juventusin për Dybalan

  • 19 July 2019 - 10:26
Man Unitedi fillon bisedimet me Juventusin për Dybalan

Manchester Unitedi raportohet se i ka filluar bisedimet fillestare me Juventusit për transferimin e mundshëm të argjentinasit Paulo Dybala gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Manchester Unitedi është përfolur për transferimin e Paulo Dybalas edhe gjatë afateve të kaluara kalimtare, mirëpo Gazzetta dello Sport pretendon se tani sapo janë bërë kontaktet e para mes dy klubeve.

Megjithatë, Juventusi është duke i kërkuar të pajtën 80 milionë euro për yllin argjentinas, i cili do të preferonte më shumë të qëndronte në skuadrën e Juventusit sesa të transferohet te Manchester Unitedi.

25-vjeçari deri më tani nuk ka shfaqur asnjë shenjë se dëshiron të largohet, mirëpo një ofertë e madhe nga “Djajtë e kuq” mund të jetë tunduese për “Zonjën e Vjetër”, veçanërisht nëse Paul Pogba bëhet pjesë e negociatave.

Në anën tjetër, Manchester Unitedi ka kohë vetëm deri më 8 gusht për t’i transferuar të gjitha përforcimet për sezonin e ardhshëm, pasi që “merkato” në Angli do të mbyllet para ligave të tjera.

Këtë verë, Juventusi ka shprehur vazhdimisht interesim për mesfushorin e Manchester Unitedit, Paul Pogban, i cili vetë deklaroi në qershor se dëshiron ta gjejë një sfidë të re diku tjetër në karrierën e vet.

Megjithatë, Manchester Unitedi nuk pritet të jetë i gatshëm të pranojë ofertë për shkëbim të lojtarëve pasi që trajneri Ole Gunnar Solskjaer beson se Pogba ka të ardhmen në “Teatrin e Ëndrrave”.

Dje u raportua se Juventusi synon ta përdorë Dybalan si pjesë të ofertës për Neymarin, mirëpo Paris Saint-Germaini thuhet se nuk do të pranojë oferta me shkëmbim të lojtarëve nga asnjë skuadër, pasi që do vetëm para.

(Kosova Sot Online)