Senegal vs Algjeria: Gjithçka që duhet të dini për finalen e Kupës së Kombeve

  • 19 July 2019 - 13:56
Senegal vs Algjeria: Gjithçka që duhet të dini për finalen e Kupës së Kombeve

Senegali i Sadio Manes dhe skuadra e Algjerisë, me kapiten Riyad Mahrezin, do të tentojnë të shkruajnë historinë në finalen e sotshme të Kupës së Kombeve të Afrikës, e cila do të fillojë në orën 21:00.

Senegali, që kishte qenë nënkampion në vitin 2002, dëshiron t’i japë fund pritjes së gjatë për trofeun e parë kontinental, përderisa Algjeria dëshiron ta shtojë edhe trofeun e dytë të Kupës së Kombeve të Afrikës në koleksionin e tyre, 29 vjet pasi e fituan të parin.

Për Senegalin, skuadra më së miri e ranguar e Afrikës, rrugëtimi deri në finale ka qenë përplot sfida, mirëpo në finalen që do të zhvillohet në stadiumin ndërkombëtar të Kairos, që i ka 75 mijë ulëse, marrin pjesë dy skuadrat me paraqitjet më mbresëlënëse të turneut.

Një gol i shënuar nga Youcef Belaili ia dha Algjerisë fitoren me rezultat 1:0 kur këto dy skuadra u takuan në fazën e grupeve, por këtë herë të dy skuadrat do të luftojnë më shumë pasi që kanë më shumë për të humbur.

“Nëse arrin deri në finale, natyrisht që qëllimi është për të fituar. Ndeshja e fazës së grupeve nuk ishte vendimtare, por tani është e tillë dhe kjo përbën një dallim të madh”, ka thënë trajneri i Algjerisë, Djamel Belmadi.

Trajneri i Senegalit, Aliou Cisse, është në mision për ta dëshmuar veten pasi që ai kishte qenë në ekipin humbës në finalen e këtij turneu në vitin 2002, kur kishte triumfuar ekipi kombëtar i Kamerunit.

“Pasi e kam humbur atë finale, ende më ka mbetur në mendje. Ajo që më motivoi që të bëhem trajner është dëshira për ta dërguar Senegalin në një tjetër finale. Lojtarët e mi më kanë thënë se do të bëjnë punë më të mirë sesa gjenerata ime”, tha Cisse.

Ylli i Liverpoolit, Sadio Mane, po shpreson se do të arrijë ta përmbushë dëshirën e tij më të zjarrtë, që të bëhet njëri ndër afrikanët e vetëm që e kanë fituar edhe Ligën e Kampionëve të UEFA-s edhe Kupën e Kombeve të Afrikës.

“Jam gati ta shkëmbejë Ligën e Kampionëve për Ligën e Kombeve. Kthimi në Dakar me trofeun do të ishte një mrekulli. Do të ishte ëndrra ime më e çmendur”, u shpreh Mane para se të fillonte turneu.

(Kosova Sot Online)