Morina, para ndeshjeve kundër Anglisë dhe Luksemburgut: Na duhen tifozët për t’u kualifikuar

  • 19 July 2019 - 14:43
Morina, para ndeshjeve kundër Anglisë dhe Luksemburgut: Na duhen tifozët për t’u kualifikuar

Basketbollistët e Kosovës të premten kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para nisjes drejt Sllovakisë, ku do t’i zhvillojnë dy ndeshje miqësore gjatë fundjavës. Basketbollisti Gëzim Morina ka thënë se Kosovës i duhet ndihma e tifozëve për këto dy ndeshje.

Atmosfera në kampin e Kosovës është shumë e mirë, derisa lojtarët po përgatiten maksimalisht para ndeshjeve parakualifikuese për Eurobasket 2021 ndaj Luksemburgut dhe Britanisë së Madhe, gjatë muajit gusht. 

Basketbollisti i Kosovës, Gëzim Morina, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve deri më tani.

“Kjo ishte dita e pestë e stërvitjeve dhe deri më tani kanë shkuar shumë mirë. Atmosfera është e mirë, derisa po japim maksimumin që të jemi 100 për qind gati për ndeshjet e muajit gusht”, ka deklaruar Morina për faqen zyrtare të FBK-së. 

“Besoj se do të jemi gati deri atëherë dhe shpresoj se nuk do të kemi lëndime. Kjo është shumë e rëndësishme”.

Ai foli edhe për ndeshjet ndaj Luksemburgut dhe Britanisë së Madhe.

“Nuk do të jetë lehtë dhe kundërshtarët kanë ekipe për tu respektuar. Do të kemi edhe dy miqësore me Sllovakinë (të shtunën dhe të dielën) që do të na ndihmojnë shumë. Ftoj publikun që të na përkrahin maksimalisht, sepse kemi nevojë për përkrahjen e tyre”, shtoi Morina.

“Tifozët na kanë qëndruar gjithmonë pranë dhe shpresoj se kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Angazhimi ynë nuk do të mungoj në fushë dhe shpresoj të arrijmë objektivat”, deklaroi Gëzim Morina. 

Dardanët më 3 gusht janë mysafirë të Luksemburgut, më pas e presin Britaninë e Madhe më 7 gusht dhe Luksemburgun më 14 gusht, kurse ndeshja e fundit është kundër Britanisë në udhëtim më 17 gusht. 

(Kosova Sot Online)