Ibrahimovici shkëlqen me një het-trik në derbin e LA

  • 20 July 2019 - 09:35
Ibrahimovici shkëlqen me një het-trik në derbin e LA

Kur Zlatan Ibrahimovic tha këtë javë se ai është, pa asnjë dyshim, lojtari më i mirë në Major League Soccer dhe askush nuk i afrohet atij, edhe pse Carlos Vela është duke e kaluar sezonin më të mirë në histori të ligës, shumë tifozë i kërkuan suedezit ta dëshmojë këtë gjë,

Por, Ibrahimovic e ka dëshmuar se ka të drejtë ta lavdërojë vetën, duke e shënuar një het-trik për LA Galaxy në fitoren e rëndësishme me rezultat 3:2 kundër Los Angeles FC të Carlos Velas, të premten, transmeton Gazeta Express.

LAFC nuk e kishte lejuar asnjë kundërshtar t’ia shënonte më shumë sesa dy gola gjatë këtij sezoni, duke e mbajtur rekordin për mbrojtjen më të mirë në ligë, me vetëm 17 gola të pranuar në 20 ndeshje.

Por, Ibrahimovici ua theu këtë rekord rivalëve të tij të ligës. Ai ishte në formë të jashtëzakonshme dhe ua dhuroi bashkëlojtarëve të tij tri pikët e ndeshjes me tri golat e shënuara, në minutën e tetë, 56-të dhe 70-të.

Kjo fitore ishte e rëndësishme për skuadrën e LA Galaxy jo vetëm pasi që erdhi kundër rivalit të qytetit, por pasi që këto tri pikë mund t’u ndihmojnë atyre të dalin nga një ecuri e dobët, gjatë së cilës i humbën shtatë nga 11 ndeshjet e fundit.

Megjithatë, disfata e së premtes nuk e ndryshon pozitën e LAFC si favorit për ta fituar titullin e Major League Soccer këtë sezon, por mund t’i ndihmojë Ibrahimovicit në tentimin për ta fituar çmimin për lojtarin më të mirë të MLS.

(Kosova Sot Online)