Hysaj drejt Romës, arrihet marrëveshja me Napolin

  • 20 July 2019 - 10:53
Hysaj drejt Romës, arrihet marrëveshja me Napolin

E përditshmja italiane, Gazzetta dello Sport, raporton se Elseid Hysaj do të jetë futbollisti më i ri i Romës dhe se marrëveshja për transferimin nga Napoli do të zyrtarizohet brenda disa ditëve.

Mbrojtësi anësor shqiptar e kishte bërë të ditur se dëshiron të largohet nga skuadra e Carlo Ancelottit gjatë këtij afati kalimtar të verës dhe pastaj për të shprehën interes skuadra si Atletico Madridi e Tottenhami.

Megjithatë, Gazzetta dello Sport tani raporton se Napoli ka arritur marrëveshje për ta shitur Hysajn. Ende nuk dihet nëse marrëveshje është në vlerë prej 20 milionë eurove, aq sa i kërkon presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis.

Mediumi italian raporton se Roma e do Hysajn pasi që tani e ka pozitën e mbrojtësit anësor të lirë në skuadër, pasi që Alessandro Florenzi pritet të transferohet në Tottenham, për ta zëvendësuar Kieran Trippierin e transferuar në Atletico Madrid. 

Para katër vjetëve, më 2 gusht të vitit 2015, Elseid Hysaj u transferua nga Empoli në Napoli për pesë milionë euro. Gjatë sezoneve të tij të para aty, ai e ka pasur rregullisht një vend në formacionin e parë.

Pjesa më e mirë e karrierës së tij ka qenë në dy sezonet paraprake, kur Maurizio Sarri ishte trajner i Napolit. Hysaj, bashkë me skuadrën e tij, u shpall nënkampion i Serisë A për dy sezone radhazi.

Megjithatë, këto suksese të Sarrit bënë që ai të kërkohet nga Chelsea, ku shkoi verën e kaluar. Në vend të Sarrit erdhi Carlo Ancelotti, i cili nuk i ka besuar 25-vjeçarit Hysajt aq sa trajneri paraprak.

(Kosova Sot Online)