Zidane e komenton situatën e Pogbas: E dimë çfarë duam

  • 20 July 2019 - 11:24
Zidane e komenton situatën e Pogbas: E dimë çfarë duam

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, nuk zbuloi shumë gjëra gjatë konferencës së tij për shtyp, kur u pyet për mundësinë e transferimit të Paul Pogbas këtë verë. Ai vetëm tha se klubi e di çfarë do dhe ka kohë deri në fund të afatit kalimtar.

Spekulimet rreth së ardhmes të fituesit së Kupës së Botës me Francën nuk kanë të ndalur, që kur vetë ai bëri të ditur se është në kërkim të një sfide të re në karrierë diku tjetër.

Pas tre vjetëve në “Old Trafford”, Pogba besohet se dëshiron ta sfidojë veten në La Liga me Real Madridi ose të kthehet në Serie A me Juventusin. Mirëpo, këtë dëshirë s’po e ka të lehtë ta realizojë pasi që Manchester Unitedi nuk dëshiron ta shesë.

Përgjigja e fundit e “Djajve të kuq” ka qenë kërkesa për 200 milionë euro për fituesin e Kupës së Botës, një shifër që është shumë përtej asaj që Real Madridi është i gatshëm ta paguajë.

Kjo kërkesë e bën të qartë se drejtuesit e klubit anglez nuk duan ta shesin francezin pasi që trajneri Ole Gunnar Solskjaer e konsideron atë si lojtarin kryesor për të ardhmen e skuadrës.

E gjitha kjo situatë e ka vështirësuar situatën për të dy trajnerët – Solskjaerin dhe Zidanen – pasi që sa herë që ata të dy dalin para gazetarëve, pyeten për situatën e Pogbas. I fundit që u përball me këto pyetje ishte Zidane. 

“Pogba? Klubi e di çfarë do dhe kemi ende shumë kohë përpara. Tani për tani, ne jemi të përqendruar në këto ndeshje. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Zidane gjatë konferencës së tij për shtyp.

Lidhja e parë mes Pogbas dhe Zidane, natyrisht, është se ata që të dy lindën dhe i rritën në Francë. Lidhjet kulturore dhe gjuhësore do t’u ndihmonin atyre të punonin bashkë edhe në Real Madrid.

“Real Madridi është ëndrra e çdokujt. Është njëri ndër klubet më të mëdha në botë. Zidane është trajneri aty. Është ëndrra e çdo fëmije dhe e çdo futbollisti”, tha Pogba, pak kohë pasi Zidane u riemërua trajner i “Los Blancos”.

Zidane ia ktheu komplimentet kur u pyet për mesfushorin 26-vjeçar. “Më pëlqen Pogba shumë. Nuk është asgjë e re që unë e njoh atë personalisht. Ai është lojtar i llojit tjetër, ai sjell shumë gjëra në skuadër dhe ka shumë pak lojtarë që japin më shumë se ai. Ai është një mesfushor që di të sulmojë dhe të mbrojë. Ai di të bëjë gjithçka në fushë”, kishte thënë trajneri i Real Madridit.

(Kosova Sot Online)