Neymari, jashtë skuadrës së PSG-së për ndeshjen kundër Nurnbergut

  • 20 July 2019 - 12:16
Neymari, jashtë skuadrës së PSG-së për ndeshjen kundër Nurnbergut

Në mesin e lajmeve se është i pakënaqur në Paris Saint-Germain dhe dëshiron të largohet nga aty, Neymari do të mungojë edhe në ndeshjen e kampionit francez kundër Nurnbergut.

Sot në orën 18:30, skuadra e Paris Saint-Germainit do ta vizitojë Nurnbergun në stadiumin “Max-Morlock” për një ndeshje miqësore, në përgatitje për sezonin e ardhshëm, 2019/20.;

Përveç që po përgatitet për sezonin e ri, duket se PSG-ja po përgatitet edhe për largimin e Neymarit gjatë kësaj vere, pasi që ai nuk është përfshirë në skuadrën e zgjedhur nga trajneri Thomas Tuchel për këtë ndeshje.

Neymari iu bashkua Paris Saint-Germainit për një shumë rekorde, 222 milionë euro, me qëllimin për t’u larguar nga hija e Lionel Messit e për t’u bërë lojtari më i mirë në botë. Megjithatë, karriera e tij në Ligue 1 është definuar nga lëndimet e shumta.

27-vjeçari raportohet se tani e do kthimin në “Camp Nou”, por edhe Real Madridi e Juventusi janë përfolur si destinacione të tjera të mundshme për brazilianin gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Këto spekulime u nxitën edhe më shumë kur Neymari mundoi në skuadrën e PSG-së në fillim të përgatitjeve parasezonale. Klubi tha se do ta ndëshkojë Neymarin për këtë gjë, përkundër që babai i lojtarit tha se Neymari kishte marrë leje paraprakisht që ta shtynte pushimin.

Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, ka thënë se Neymarit i lejohet largimi nga klubi gjatë këtij afati kalimtar të verës, edhe pse ai shtoi se deri më tani nuk ka pasur oferta të mirë, përkundër bisedimeve sipërfaqësore me Barcelonën.

(Kosova Sot Online )