Shaqiri pozon me fanellën e re të Liverpoolit

  • 20 July 2019 - 13:01
Shaqiri pozon me fanellën e re të Liverpoolit

Xherdan Shaqiri e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjetin social Instagram për ta publikuar një fotografi të tij me Georginio Wijnaldumin dhe Fabinhon me fanellat e reja për sezonin e ardhshëm.

Skuadra e Jurgen Klopp do ta mbajë të veshur një fanellë të frymëzuar nga Bob Paisley për ndeshjet që do të zhvillohen në Anfield sezonin e ardhshëm.

Liverpooli, që sezonin e ardhshme synon të garojë për titullin e Premierligës dhe të Ligës së Kampionëve, ka vendosur që me këtë fanellë ta nderojë njërin prej trajnerëve më të suksesshëm në histori të klubit.

Paisley shijoi mjaft shumë suksese gjatë kohës sa ishte trajner i Liverpoolit, mes viteve 1970-1980, duke i fituar gjashtë tituj të ligës dhe tre tituj të Kupës Evropiane.

Gjatë asaj kohe, fanella e parë e Liverpoolit kishte qenë e theksuar me disa vija të bardha dhe klubi anglez ka vendosur që ta kthejë përsëri atë dizajn për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, kjo nuk është fanella që Shaqiri e ka reklamuar në llogarinë e tij në Instagram. Ai ka pozuar me fanellën e tretë të klubit.Shaqiri për momentin është i lënduar – lëndim ky që e pësoi sa ishte në detyrë për ekipin kombëtar të Zvicrës – dhe Kloppi nuk e ka konfirmuar në media se sa kohë do t’i duhet 27-vjeçarit për t’u rikuperuar. Për këtë arsye, ai nuk ka luajtur në asnjë ndeshje të turneut parasezonal.

(Kosova Sot Online )