Milani bën revolucion, në sulm konfirmohet vetëm një lojtar

  • 20 July 2019 - 13:16
Milani bën revolucion, në sulm konfirmohet vetëm një lojtar

Milani nuk po zhbllokohet ende në merkato, sepse deri tani është ndalur te mesfushorët Krunic e Bennacer nga Empoli, por drejtuesit kuqezinj po punojnë në heshtje, duke u munduar pikësëpari të shesin disa lojtarë me çmimin që meritojnë.

Kështu, në mesfushë pritet një goditje e rëndësishme, por edhe sulmi do të ndryshojë totalisht, sipas asaj që shkruan Gazzetta dello Sport.

Vetëm Krzysztof  Piatek është lojtar kyç dhe rreth tij do të ndërtohet skuadra, me synimin për t’i marrë maksimumin para porte, por edhe për ta bërë një sulmues më të kompletuar, të aftë të lëvizë shumë në fushë dhe të bëhet pjesë e manovrës kuqezi gjatë gjithë ndeshjes.

BLERJET – Një ndër lojtarët më të pëlqyer nga drejtuesit e Milanit është Angel Correa, argjentinasi i Atletico Madrid i cili është i ri, 24 vjeç, dhe ëshytë i aftë të luajë si sulmues i dytë apo si mesfushor ofensiv. Atletico e vlerëson 50 milionë euro, natyrisht shifër e ekzagjeruar për një futbollist që sezonin e shkuar nuk ishte pikë kyçe në Madrid.Një lojtar i ngjashëm me Correa është Matias Zaracho, argjentinas 21-vjeçar i cili spikati sezonin e shkuar te Racing Club në Argjentinë dhe për momentin mund të blihet me më pak se 20 milionë euro.

SHITJET – Për të blerë, Milani së pari duhet të shesë. André Silva është i ri dhe ka treg, por Milani kërkon të arkëtojë të paktën 30 milionë euro, sepse e pagoi shumë shtrenjtë kur e bleu nga Porto.

Po ashtu, Patrick Cutrone nuk është titullar në planet e Milanit dhe nëse Wolverhampton e ka seriozisht, duke ofruar 25 milionë euro, atëherë Milani pret vetëm OK nga futbollisti.Në fund, Suso është një ndër lojtarët më të kërkuar, por klauzola e prishjes së kontratës është 40 milionë euro dhe për momentin asnjë klub nuk është gati ta paguajë. Milani e shet edhe për 35 milionë dhe Roma e do, por e nuk paguan dot gjithë shifrën dhe kërkon të përfshijë në bisedime ndonjë lojtar në këmbim. Ndoshta me turkun Under apo çekun Schick mund të zgjidhet gjithçka. 

(Kosova Sot Online )