Sarri e komenton mundësinë e transferimit të Pogbas në Juventus

  • 20 July 2019 - 13:47
Sarri e komenton mundësinë e transferimit të Pogbas në Juventus

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, e ka konfirmuar se i pëlqen shumë mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba, mirëpo ka shtuar se ai është pjesë e skuadrës së “Djajve të kuq” dhe se nuk është në njohuri për situatën e tij.

Fituesi i Kupës së Botës me Francën e la Juventusin për 105 milionë eurot e ofruara nga Manchester Unitedi në vitin 2016, kur u bë lojtari më i shtrenjtë në histori. Mirëpo, që nga atëherë ai e ka fituar vetëm një trofe të League Cup dhe një të Ligës së Evropës.

Pogba është përfolur për një kthim të mundshëm të Torino dhe trajneri i ri i Juventusit, Maurizio Sarri, u pyet për francezin gjatë konferencës së tij për shtyp para ndeshjes kundër Tottenhamit, në Singapor.

“Më pëlqen me të vërtetë Pogba. Megjithatë, ai është lojtar i Manchester Unitedit. Unë nuk jam drejtori sportiv, kështu që nuk e di situatën e tij”, ka thënë Sarri.

Pas disa javësh raportime se Juventusi dhe Real Madridi duan t’i sigurojnë shërbimet e Paul Pogbas për sezonin e ardhshëm, kampioni italian u raportua se e bëri gati një ofertë për “Djajtë e kuq”. E përditshmja italiane, Corriere della Sera, raporton se Juventusi i ka zgjedhur tre lojtarë të skuadrës për ta ulur çmimin që Manchester Unitedi po e kërkon për fituesin e Kupës së Botës, 150 milionë funte. 

Drejtuesit e Juventusit besojnë se ata mund ta bindin Manchester Unitedin ta shesë Pogban këtë afat kalimtar të verës, përkundër insistimit të anglezëve se francezi nuk është për shitje dhe është pjesë e rëndësishme e skuadrës së tyre për sezonin e ardhshëm.

Vetë Paul Pogba e kishte bërë të ditur dëshirën e tij për t’u larguar nga Manchester Unitedi gjatë këtij afati kalimtar të verës, gjatë kohës sa ishte me pushime në Kinë.

“Mendoj se, për mua, kjo mund të jetë koha e duhur për ta pasur një sfidë të re diku tjetër”, kishte thënë ylli francez.

Pastaj, në fillim të këtij muaji, agjenti i Pogbas, Mino Raiola, tha se ai është në proces për t’ia gjetur një klub të ri klientit të tij, pas lajmeve se Real Madridi dhe Juventusi janë të interesuar për 26-vjeçarin.

(Kosova Sot Online)