Përgaditjet për futbollistët e Bayer Leverkusenit

  • 21 July 2019 - 18:06
Përgaditjet  për futbollistët e Bayer Leverkusenit

Para se të fillojnë përgatitjet për edicionin e ri, futbollistët e Bayer Leverkusenit duhet të kalojnë nëpër testime intensive për të dëshmuar se janë të gatshëm për stërvitje. Te klubi i Bundesligës, ekzaminimet shëndetësore dhe të fitnesit janë shumë të rëndësishme dhe zgjasin më shumë se tri orë. Nuk janë formalitet si në shumë skuadra të tjera.

Për futbollistët e Leverkusenit kjo është faza më e vështirë, pasi duhet të djersiten shumë për të dëshmuar se gjatë pushimeve verore nuk kanë pasur komplikime shëndetësore apo nuk kanë mungesë të vitaminave trupore, shkruan DW. Edhe në klubet e tjera të Bundesligës, por edhe ligave të evropiane futbollistët kryejnë teste të tilla, por te Leverkuseni dallojnë pasi zgjasin shumë dhe rëndësi u kushtohet të gjitha detajeve të shëndetit të organizmit.

Në katin e tretë të stadiumit “BayArena” në mëngjesin e javës së shkuar pati shumë djersitje, pasi futbollistët e Leverkursenit iu nënshtruan testeve vjetore të shëndetit para fillimit të fazës përgatitore për edicionin 2019/20.

Kerem Demirbay merr frymë përmes një maske përderisa vrapon në shirit me disa kabllo të vendosura në trupin e tij. Karim Bellarabi punon me forcë në një makineri fitnesi, derisa braziliani Wendell është shtrirë barkazi në dyshemenë prej druri për t'i zgjatur muskujt e shpinës përpara se t'u nënshtrohet testimeve. Kjo fazë e testeve të mundimshme edhe zyrtarisht iu bënë me dije futbollistëve të Leverkusenit se pushimet verore tashmë kanë marrë fund.

“Ky është vendi i parë ku futbollistët raportojnë kur kthehen prej pushimeve verore. Janë teste të mundimshme që zgjasin më shumë se tri orë pasi i kushtojmë rëndësi çdo detaji. Duam të sigurohemi se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe se nuk iu mungon asgjë për të përballur fazën përgatitore”, ka thënë Malte Krueger, kreu i departamentit të shkencave sportive tek ekipi i Leverkusenit. “E kemi parasysh që futbollistët nuk i pëlqejnë këto testime, por në ekipin tonë kështu shkojnë gjërat, testet shëndetësore janë më të vështira dhe dallojnë prej atyre në ekipet tjera”.

Në kërkim të vitaminës D

Një pjesë e asaj që departamenti i shkencave sportive e kërkon është që të zbulojë gjatë testimeve se sa mirë dhe me përpikëri futbollistët i janë përmbajtur planprogramit individual të stërvitjeve gjatë pushimit. Testimet shëndetësore përbëhen prej tri elementeve, dhe aty trajneri e kupton nëse futbollistët e tij më përpikëri kanë zbatuar çdo gjë që u është kërkuar pas përfundimit të edicionit paraprak.

“Është elementi mjekësor, elementi i fizioterapisë dhe elementi atletik. Testimet shëndetësore bëhen në bazë të këtyre elementeve, kurse në fund lojtarëve ua bëjmë edhe një monitorim të tërësishëm trupor”, zbulon Krueger.

(Kosova Sot Online)