Shefi i Bayernit: Guardiola s’e di se çfarë po ndodh në Manchester City

  • 22 July 2019 - 09:40
Shefi i Bayernit: Guardiola s’e di se çfarë po ndodh në Manchester City

Shefi ekzekutiv i Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge, ka thënë se Pep Guardiola nuk duhet t’ia shuajë shpresat kaq shpejt klubit gjerman për transferimin e Leroy Sanes nga Manchester City.

Kampioni gjerman e ka shprehur hapur dëshirën për ta kthyer në Bundesligë anësorin 23-vjeçar gjatë këtij afati kalimtar veror.

Në muajin maj, Rummenigge pati deklaruar se Bayerni do të përpiqej ta blejë Sanen sapo të hapet afati kalimtar veror pasi Arjen Robben dhe Franck Ribery u larguan nga klubi.

City është duke tentuar ta bindë ish-yllin e Schalke 04 të nënshkruajë kontratë të re, megjithatë.

Guardiola sugjeroi gjatë kësaj jave se Bayerni nuk e ka kontaktuar Cityn për shërbimet e tij.

“Për një kohë të gjatë (Bayerni) ka folur për interesimin në Sanen, por Leroy është lojtari jonë dhe shpresojmë se do të jetë edhe në sezonet pasuese”, pati thënë Guardiola.

Por, Rummenigge thotë se shpresat e Bayernit për ta sjellë Sanen në Allianz Arena ende janë të gjalla dhe se shumë më shumë gjëra po ndodhin seç Guardiola di.

“Nuk e di nëse Pep e di se çfarë po ndodh në klubin e tij. Nuk ia kam idenë. Të shohim”, tha Rummenigge për Bild.

“Nëse ka diçka për të cilën duhet të njoftojmë, atëherë do ta bëjmë, ama nuk jemi edhe larg”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)