Ish-futbollistja e Juventusit: Në Juve ishim në burg, aty ndalohet të flasësh për Ronaldon

  • 22 July 2019 - 12:13
Ish-futbollistja e Juventusit: Në Juve ishim në burg, aty ndalohet të flasësh për Ronaldon

Petronella Ekroth e ka cilësuar periudhën e vet në Juventus si burgosje, duke zbuluar se asaj dhe bashkëlojtareve të saj i ishte ndaluar të flisnin për rastin e përdhunimit të Kathryn Mayorga, në të cilin akuzohet Cristiano Ronaldo.

Ekroth i ndihmoi Juventusit ta fitojë titullin në ligën e grave, Serie A, sezonin e kaluar, por tani është kthyer në atdheun e vet, Suedi, për ta vazhduar karrierën me Djurgardens.

Në një intervistë me Expressen, ajo e kritikoi klubin bardhekaltër që i kishte detyruar ato të heshtnin për akuzat për sulm seksual me të cilat përballet Ronaldo.

“Unë u përpoqa t’i shikoja gjërat në një perspektivë më të gjerë, për t’u përmirësuar si futbolliste dhe si qenie njerëzore”, tha mbrojtësja suedeze.

“Në fund, pata të drejtë që qëndrova, edhe pse ndodhen disa gjëra shumë të çuditshme. Vizionin im sesi t’i trajtosh njerëzit dallon nga të tjerët. Futbollistet e huaja nuk u trajtuan si ato italiane. Kishte raste kur nganjëherë pyesja veten mos isha kamerë e fshehur. Por pastaj u mësova me këtë”, shtoi ajo.

Kathryn Mayorga e akuzon yllin e Juventusit, Cristiano Ronaldon, për përdhunim, akuza të cilat mohonen kategorikisht nga portugezi.

Sipas avokatëve të Mayorga, rasti tani do të çohet në gjykatën federale në SHBA.

Për këtë rast, Ekroth thotë se drejtuesit e Juventusit ua kishin ndaluar futbollisteve të flisnin.

“Ne e kishim të ndaluar të flisnim për këtë rast. Ne u heshtëm dhe nuk kemi mundur ta përmendnim këtë. E vetmja gjë që na kërkohej ishte të punonim për vlerat e klubit. E mbaja veten të izoluar sepse ndieja se mendimi im s’kishte rëndësi. Ndieja sikur isha në burg. Nuk kam mundur të bëj asgjë që dua. Ndieja sikur po e humbja një pjesë timen, ishte shumë e vështirë në Juventus”, theksoi ajo.

(Kosova Sot Online)