Barça kërkon t’i nisë bisedimet me Messin për të ardhmen e tij

  • 22 July 2019 - 13:49
Barça kërkon t’i nisë bisedimet me Messin për të ardhmen e tij

Barcelona është e gatshme t’i nisë bisedimet me Lionel Messin për zgjatjen e kontratës së sulmuesit argjentinas, e cila i mbaron pas dy vjetëve, sipas ESPN FC.

Messi, 32 vjeç, ka hyrë në dy vjetët e fundit të kontratës së tij aktuale dhe Barça dëshiron ta mbajë atë në klub shumë më gjatë se vetëm deri në vitin 2021.

Nëse arrihet kjo, atëherë Messi do ta nënshkruante kontratën e dhjetë me gjigantin katalonas që prej debutimit të tij profesional më 2004.

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, do t’i udhëheqë bisedimet me babanë e Messit, Jorge, i cili është menaxheri i tij. Në kontratën aktuale të Messit ekziston një klauzolë në bazë të së cilës klubi ka të drejtë t’ia zgjasë atij kontratën edhe për 12 muaj të tjerë, pra deri më 2022.

Por, Bartomeu s’e parapëlqen këtë mundësi. Ai dëshiron më shumë, pra një marrëveshje të re e cila do ta mbante Messin në Camp Nou për edhe katër vjet të tjera, apo deri në moshën 36 vjeçe.

Shefi i klubit katalonas e di se synimi kryesor i Messit nuk është vetëm financiar dhe shpreson se do t’ia ofrojë atij skuadrën më të mirë të mundshme për ta fituar Ligën e Kampionëve, për herë të parë që prej vitit 2015.

(Kosova Sot Online)