Menaxheri i Bale garanton: Gareth nuk largohet nga Real Madridi në formë huazimi

  • 23 July 2019 - 13:43
Menaxheri i Bale garanton: Gareth nuk largohet nga Real Madridi në formë huazimi

Jonathan Barnett, menaxheri i Gareth Bale, ka theksuar se anësori uellsian nuk do të largohet nga Real Madridi si lojtar i huazuar këtë verë.

30-vjeçar nuk është më i dëshirueshëm në Real Madrid, sidomos pas kthimit të trajnerit Zinedine Zidane, i cili e tha troç ditë më parë se largimi i Bale do t’i bënte nder të dy palëve.

Megjithatë, Barnett ka thënë për Sky Sport se Bale nuk ka shanse të largohet si lojtar i huazuar, sepse nëse vërtet largohet, atëherë do të jetë përgjithmonë.

“Nuk do të ketë marrëveshje të improvizuara për të larguar atë nga klubi. Gareth është ndër lojtarët më të mirë në planet. Mund t’ju garantoj se Bale nuk do të largohet në formë huazimi”, tha Barnett.

Duke qenë se uellsiani nuk pajtohet të ketë ulje page, lista e klubeve që mund t’i bëjnë ballë transferimit të tij është duke u zvogëluar dita ditës.

Aktualisht, Bale merr pagë vjetore në vlerë 17 milionë euro në Real Madrid. 

(Kosova Sot Online)