Rezultatet pozitive të Kosovës i kanë hequr dyshimet e lojtarëve për zgjedhjen e ekipit kombëtar

  • 24 July 2019 - 13:50
Rezultatet pozitive të Kosovës i kanë hequr dyshimet e lojtarëve për zgjedhjen e ekipit kombëtar

Falë rezultateve pozitive që i ka regjistruar Kosova në dy vjetët e fundit, futbollistët kosovarë që janë lindur e rritur jashtë e që kishin dyshime se për cilën Kombëtare do të luajnë, tashmë po e zgjedhin më lehtë ekipin Verdhekaltër. Dikur FFK-ja trokiste në dyert e tyre, tash ata po trokasin në dyert e Federatës. Trajneri Bernard Challandes e konfirmon këtë.

Në të kaluarën, prioritet i futbollistëve kosovarë që jetojnë jashtë vendit ishte përfaqësimi i vendit ku janë lindur dhe rritur.

Mirëpo, kjo “traditë” ka nisur të zbehet viteve të fundit.

Mbi të gjitha pas rezultateve pozitive të Përfaqësueses së Kosovës në dy vjetët e fundit.

Dikur, Federata e Futbollit të Kosovës trokiste në dyert e futbollistëve, duke hasur në vesh të shurdhër kohë pas kohe.

Por, tash kanë ndryshuar kohërat.

Soccer Football – Euro 2020 Qualifier – Group A – Kosovo v Bulgaria – Fadil Vokrri Stadium, Pristina, Kosovo – March 25, 2019 Kosovo’s Arber Zeneli celebrates scoring their first goal with team mates REUTERS/Florion Goga

Janë vetë futbollistët që po i ofrohen vetë Kosovës për të luajtur për të.

Këtë e konfirmon trajneri Bernard Challandes.

Trajneri zviceran ndihet i lumtur që Kosova gjendet në këtë pozitë, ku konkurrenca po shtohet ditë pas dite falë lojtarëve kualitativë që u janë bashkuar “Dardanëve”. 

“Është e qartë se situata tash ka ndryshuar. Në fillim Federata kërkonte nga futbollistët nëse duan të luajnë për Kombëtaren. Por, tash janë lojtarët që kërkojnë dhe thonë se unë dua të luaj për ekipin kombëtar. Nuk është e lehtë të luash, ka konkurrencë. Vetëm lojtarët e mirë që e tregojnë veten në klubet e tyre do ta kenë mundësinë të luajnë për Kosovën”, theksoi fillimisht selektori i Kosovës.

“Mendoj se është diçka e mirë. Për mua situata nuk ndryshon, unë i zgjedh lojtarët më të mirë që duan të luajnë për Kosovën. Lojtarët duhet të tregojnë se janë gati për këtë sfidë, që janë kandidatë për të luajtur. Ne nuk kemi humbur plot 14 ndeshje dhe kjo nuk është e lehtë. Askush nuk e ka vendin e sigurt. Edhe ata që vijnë nuk mund të mendojnë se e kanë zgjedhur Kosovën dhe se do të luajnë gjithsesi. Jo, ata duhet ta tregojnë veten, duhet të tregojnë se e meritojnë të luajnë me performanca mjaft të mira. Në këtë mënyrë do të ishin kandidatë për të luajtur. Është një situatë mjaft e mirë, mjaft e rëndësishme për të ardhmen”, ka përfunduar Challandes.

Së fundmi flitet se Elvis Rexhbeçaj e Bastien Toma do t’i bashkohen Kosovës.

Zvicerani i mirëpret ata, njëjtë si Loret Sadikun, por edhe Albert Vallçin, i cili nuk u aktivizua tek Austria edhe pse ishte në grumbullim.

(Kosova Sot Online)