Futbollisti serb: Ne nuk e pranojmë Kosovën si shtet dhe nuk dua të luaj ndaj Feronikelit

  • 24 July 2019 - 14:54
Futbollisti serb: Ne nuk e pranojmë Kosovën si shtet dhe nuk dua të luaj ndaj Feronikelit

Futbollisti serb, Aleksandar Cavric ka folur për vendimin e tij dhe të shokut të skuadrës, Dejan Drazic që ta bojkotojnë ndeshjen e ekipit të tyre Slovan Bratislava ndaj Feronikelit. Futbollisti ofanziv thotë se vendimi ka të bëjë me faktin se vendi prej nga vjen ai nuk e njeh Kosovën si shtet. Sllovakët ndërkohë kanë reaguar për vendimin e futbollistëve të tyre

Aleksandar Cavric nuk do të luajë sot në ndeshjen ndërmjet Solvan Bratislavës dhe Feronikelit, në kuadër të rrethit të dytë kualifikues të Europa Leagues.

Jo pse është i lënduar apo i suspenduar, por për shkaqe nacionaliste.

Në fakt, futbollisti serb ka vendosur ta bojkotojë ndeshjen e ardhshme të ekipit të tij me arsyetimin se vendi i tij – Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, prandaj ai dëshiron ta demonstrojë lidhshmërinë që ka me vendin e tij.

Ndërkohë, vendimin e tij për të mos luajtur e ka mbështetur klubi sllovak, pa dashur ta bëjë të madhe këtë punë dhe pa bërë presion pak orë para fillimit të ndeshjes.

“Kur u eliminuam nga Championsi dhe kur e pamë se me kë do të luanim, nuk dinim se si të silleshim. Mirëpo, ne nuk do të donim që ky ekip të na binte si kundërshtar. E dinim nga fillimi se kjo ishte një mundësi. Ne folëm me trajnerin dhe kërkuam nga ai të bisedonte me njerëzit e klubit. Ne pritëm të shihnim se çka do të thoshte klubi. Ata u treguan mjaft të mirë dhe miqësorë. Ata e dinë se kjo për ne nuk është vetëm sport, është diçka më shumë”, theksoi Cavric për Telegrafin serb.

“Ata na kuptuan, ata nuk na bënë presione, por vetëm pyetën se cila ishte dëshira e jonë, cili ishte qëndrimi ynë. Kur ua shpjeguam të gjitha, ata e pranuan këtë vendim menjëherë. Falë Zotit, nuk kishte asgjë të keqe në reagimin e tyre”, shtoi tutje futbollisti serb, krahas të së cilit ndaj Feronikelit nuk do të luajë as serbi tjetër, Dejan Drazic.

“Ka mendime ndryshe normal, kishte kundërshtime dhe një njeri mund të thotë se ne jemi profesionistë dhe se duhet të luajmë, por as Sllovakia, si ne, nuk e ka pranuar Kosovën. Ka shumë tifozë serbë këtu, ata jetojnë dhe punojnë këtu, shumë njerëz në tribuna do të jenë serbë. Ata në mënyrë konstante na kanë dërguar mesazhe mbështetëse dhe gjithçka tjetër. Në të gjitha ndeshjet tona mund të shihen mesazhe dhe këngë “Kosova është Serbi”. Prandaj, pas të gjitha këtyre, ata nuk presin që ne të luajmë, ata nuk mund ta imagjinojnë se ne mund të vepronim ndryshe. Sa për media, nuk më intereson, mund të shkruajnë çfarë të duan. Klubi e ka treguar vendimin tonë, i cili është përkrahur në përgjithësi”, përfundoi Cavric.

Ndeshja e rrethit të dytë kualifikues të Europa Leagues ndërmjet Slovan Bratislava dhe Feronikeli do të luhet sot në Bratislavë duke filluar nga ora 18:00.

(Kosova Sot Online)