Werderi e ka gati kontratën e re për Rashicën, futbollisti nuk ngutet

  • 25 July 2019 - 10:47
Werderi e ka gati kontratën e re për Rashicën, futbollisti nuk ngutet

Paraqitjet mbresëlënëse në pjesën e dytë të sezonit të fundit kanë bërë që Werder Bremeni t’ia ofrojë kontratën e re Milot Rashicës. Mirëpo, futbollisti kosovar nuk dëshiron të ngutet, duke e pasur parasysh që ka edhe tri vjet kontratë

Milot Rashica ishte lojtari më i mirë i Werder Bremenit në pjesën e dytë të sezonit.

Futbollisti kosovar shpërtheu që nga fillimi i vitit 2019 me gola dhe asistime, duke shënuar plot 8 herë në Bundesliga.

Për këtë, drejtori sportiv i klubit, Frank Baumann po mendon t’ia vazhdojë kontratën 23 vjeçarit për një kohë afatgjate, derisa kontrata aktuale e tij skadon në vitin 2022.

“Miloti e ka bërë një zhvillim mjaft pozitiv me ne. Naturisht, ne e kemi parasysh këtë dhe do të lëvizim”, ka thënë Baumann për tabloidin gjerman, “Bild”.

Rroga e Rashicës, i cili ishte blerë nga klubi gjerman në vitin 2018 për 7,5 milionë euro, do të rritet gjithsesi, ndërsa kjo do ta bëjë atë të ndihet edhe më mirë në Bremen.

Mirëpo, vazhdimi i kontratës së “Raketës”, siç po e quajnë në Gjermani, nuk do të ndodhë shumë shpejt.

“Miloti i ka edhe tri vjet të tjera kontratë. Nuk mund ta presim një vazhdim të kontratës qysh tash”, është shprehur menaxheri i futbollistit, Altin Lala, ish-futbollisti i njohur shqiptar.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vazhdimi i kontratës nuk i intereson Rashicës.

Por, ylli kosovar fillimisht dëshiron ta shohë zhvillimin e tij dhe të Werder Bremenit në muajt e ardhshëm.

Madje, interesimi i klubeve gjatë verës tregon se Rashica po bëhet lojtar i madh.

Benfica ishte e gatshme t’i paguante 18 milionë euro për përfaqësuesin kosovar.

Në bazë të uebsajtit të statistikave të futbollistëve “Transfermarkt.de”, vlera e Rashicës është 20 milionë euro. Ky është veç fillimi…

(Kosova Sot Online)