Klopp flet për mundësinë e riblerjes së Coutinhos

  • 25 July 2019 - 11:09
Klopp flet për mundësinë e riblerjes së Coutinhos

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka hedhur poshtë mundësinë e riblerjes së Philippe Coutinhos, duke pohuar se klubi nuk mund ta përballojë çmimin e tij të lartë.

Coutinho e braktisi Liverpoolin për Barcelonën në janar të vitit 2018 për një shumë e cila mund të shkojë deri në 160 milionë euro nëse arrihen bonuset.

Por, pas paraqitjeve të dobëta sezonin e fundit, është përfolur për një largim të brazilianit nga Camp Nou.

27-vjeçari ka dështuar t’i përmbushë pritjet dhe nuk ka mundur të zërë vend në formacionin e parë në Barçë. Ai i shënoi vetëm pesë gola në 22 ndeshje në La Liga sezonin e kaluar. 

Si pasojë, këtë verë ka pasur thashetheme se ai mund të kthehet në Liverpool, gjë që tani është hedhur poshtë nga trajneri gjerman i të kuqve.

“Në përgjithësi, Coutinho i ndihmon çdo ekipi në botë, 100 për qind. Mua më pëlqen Phil, sepse mendoj se është lojtar fantastik”, tha Klopp.

“Por, blerja e tij do të kushtonte shumë, shumë, shumë, shumë, shumë, shumë, shumë para dhe ne nuk mund të shpenzojmë kaq shumë. Është e pamundur”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)