Mbi 1 miliard euro të shpenzuara deri tash, La Liga e lë prapa Premierligën

  • 26 July 2019 - 09:22
Mbi 1 miliard euro të shpenzuara deri tash, La Liga e lë prapa Premierligën

Premierliga e kishte dominuar futbollin botëror viteve të fundit sa u përket shpenzimeve në afate kalimtare. Mirëpo, këtë verë kampionati anglez ka mbetur në hije të La Ligas, klubet e së cilës deri tash i kanë shpenzuar mbi 1 miliard euro për transferimin e futbollistëve

Spanja e ka kaluar Anglinë sa i përket shumës së shpenzuar nga ana e klubeve për transferimin e futbollistëve deri tash në këtë afat kalimtar.

Premierliga kishte dominuar viteve të fundit falë shpenzimeve marramendëse të klubeve të saj, por tash primati i takon La Ligas, klubet e së cilës deri tash i kanë shpenzuar mbi 1 miliard euro për përforcime.

Dhe, këtë shumë të majme spanjollët e kanë arritur pas vetëm 42 ditësh.

Premierliga ishte shpenzuesja më e madhe në mesin e pesë ligave më të forta evropiane në 10 vjetët e fundit.

Në afatin kalimtar të verës së vitit 2018, Anglia kishte shpenzuar 31 për qind nga ligat më të forta, kurse Spanja ishte ndalur me 20%.

Një vit më parë, Anglia kishte 37% e Spanja 13%, kurse në vitin 2016, diferenca ishte edhe më e madhe, 41% me 15%.

Mirëpo, këtë vit Premierliga ra në pozitën e dytë.

Real Madridi iu rikthye përforcimeve të mëdha për herë të parë që nga viti 2009, kur i kishte blerë Cristiano Ronaldon dhe Leite Kakan.

Deri tash, “Los Blancos” i kanë shpenzuar 303 milionë euro me blerjen e Eden Hazard, Luka Jovic, Eder Militao, Ferland Mendy e Rodrygo.

Edhe dy klubet tjera të La Ligas, Atletico Madrid dhe kampioni Barcelona kanë shpenzuar po ashtu para të majme.

Barça e ka blerë vetëm Antoine Griezmannin nga Atletico për 120 milionë euro.

Kurse, Frenkie de Jong i kushtoi 75 milionë euro pasi e bleu atë nga Ajaxi.

Ndërkaq, “Los Colchoneros” i shpenzuan plot 126 milionë euro për ta blerë talenti e madh të Benficas, Joao Felix.

Griezmann iu bashkua të larguarve të tjerë Lucas Hernandez, Rodri, Filipe Luis, Diego Godin e Juanfran, duke bërë që klubi nga “Wanda Metropolitano” t’i fitonte 300 milionë euro nga shitjet.

Marcos Llorente, Mario Hermoso, Kieran Trippier e Hector Herrera janë vetëm disa nga emrat që Diego Simeone i solli në ekipin e tij për ta freskuar atë.

Betisi dhe Valencia e kanë kaluar shumën prej 50 milionë eurosh shpenzime, derisa Sevilla ka harxhuar më shumë se 100 milionë euro, duke qëndruar vetëm prapa tri ekipeve më të mëdha spanjolle në këtë drejtim.

Nabil Fekir së fundmi u transferua tek Betisi për vetmë 20 milionë euro.

Kurse, në Angli Liverpooli e Manchester City nuk kanë nevojë të shpenzojnë shumë pasi tashmë kanë lojtarë mjaft cilësorë në ekipet e tyre.

As klubet tjera nuk është se kanë shpenzuar shumë.

(Kosova Sot Online)