Juve e refuzon ofertën e parë të Tottenhamit për Dybalan

  • 26 July 2019 - 11:22
Juve e refuzon ofertën e parë të Tottenhamit për Dybalan

Tottenhami i ka hyrë seriozisht garës për transferimin e Paulo Dybalas. Edhe pse futbollisti argjentinas njoftoi se dëshiron të qëndrojë në Juventus, duket se Bianconeri duan ta shesin atë. Megjithatë, kampioni italian e ka refuzuar ofertën e parë të Spurs

Juventusi po planifikon ta shesë Paulo Dybalan gjatë kësaj vere edhe pse futbollisti argjentinas njoftoi se dëshiron të qëndrojë në Torino.

Dhe, interesimi për ish-futbollistin e Palermos nuk mungon nga ana e klubeve të mëdha evropiane.

Së fundmi në garë për Dybalan është futur edhe nënkampioni evropian, Tottenham, i cili ka bërë ofertë për të.

Mirëpo, e përditshmja italiane “La Stampa” shkruan se Bardhezinjtë e kanë refuzuar menjëherë ofertën e parë të Tottenhamit prej 50 milionë eurosh për lojtarin.

Bianconeri e vlerësojnë futbollistin 90 milionë euro.

Për të ardhmen e Dybalas do të vendoset posa të kthehet ai nga pushimet, kur edhe pritet të takohet me trajnerin Maurizio Sarri.

Sidoqoftë, Spurs nuk e kanë ndërmend të ndalen dhe shpejt pritet ta përgatisin një ofertë më të majme.

Trajneri Mauricio Pochetino dëshiron ta transferojë Dybalan për ta zëvendësuar Christian Eriksenin, i cili mund të largohet nga Londra gjatë kësaj vere. 

(Kosova Sot Online)