Kuka: Drejt “Tokyo 2020” me 5 garues dhe për medalje

  • 26 July 2019 - 16:25
Kuka: Drejt “Tokyo 2020” me 5 garues dhe për medalje

Driton Kuka beson se xhudistët e tij do të jenë të suksesshëm në Olimpiadën e Tokios vitin e ardhshëm, njëjtë siç ishin në “Rio 2016” ku Majlinda Kelmendi ia solli Kosovës medaljen e parë olimpike

Xhudistët kosovarë janë shpërblyer sot nga Ministria e Sportit për suksesin e arritur në Lojërat Evropiane “Minsk 2019”.

Majlinda Kelmendi u shpërblye me 50 mijë euro për medaljen e artë, Nora Gjakova me 30 mijë për atë të argjendtë dhe Loriana Kuka me 20 mijë për të bronztën.

Kurse, trajneri i tyre, Driton Kuka u shpërblye me 50 mijë euro për sukseset e tri garueseve të tij.

Ndërkohë, trajneri i suksesshëm pejan ka premtuar se me garuesit e tij do të mundohen t’i sjellin gëzime dhe suksese të tjera vendit tonë.

“Shpërblimet për Medaljet në Lojëra Evropiane në Minsk 2019. Majlinda, Nora e Loriana protagonistet e medaljeve në Minsk bashkë me mua si trener morëm Shpërblimet shtetërore nga Ministri Kujtim Gashi! Ministrit i shpreha mirënjohjen për angazhimin e tij permanent prej se ka ardh në detyrë!”, ka shkruar fillimisht Kuka, i cili tash e ka mendjen tek Olimpiada “Tokyo 2020”, ku synon suksese të reja, pas eksperiencës së jashtëzakonshme në “Rio 2016”.

“Drejt Lojërave Olimpike po hapërojmë me 5 garuesit tonë që për monentin janë me normë Olimpike duke pretenduar që edhe nga Tokyo 2020 të kthehemi me medalje”, ka përfunduar Kuka. 

(Kosova Sot Online)