Gjilani nënshkruan me Prognin

  • 26 korrik 2019 - 17:01
Gjilani nënshkruan me Prognin

SC Gjilani njofton se ka arritur marrëveshje me mesfushorin e krahut të djathtë, Gerhard Progni.

Ai është lindur më 6 Nëntor të vitit 1986, luan disa pozicione në fushë, por më së shumti njihet në pozicionin e mesfushorit të krahut të djathtë.

Këmba e tij e preferuar është e djathta, njofton klubi gjilanas përmes rrjeteve sociale.

I lindur në Tropojë, Progni hapat e parë si futbollist i mori tek akademia e Partizanit, nga edhe depërtoi në skuadrën e parë prej ekipeve zinxhir të skuadrës nga Tirana.

Progni paraqitjet e tij i vijoi edhe nëpër shumë skuadra të ndryshme në Shqipëri sikurse ajo e Skënderbeut, Flamurtarit, Kukësit e shumë të tjerave nga liga elite e Shqipërisë, me ç’rast ai kishte realizuar afër 70 gola nëpër klubet ku ishte paraqitur.

Progni gjithashtu karrierë kishte bërë edhe jashtë Shqipërisë, që për disa muaj ai kishte mbrojtur ngjyrat e ekipit nga Superliga e Azerbajxhanit, FC Zira, ekip tek i cili ishte paraqitur 17 herë dhe kishte realizuar 2 gola në kampionatin e Azerbajxhanit.

Mesfushori i krahut në skuadrën e Gjilanit vjen nga ekipi durrsak i Teutës, ku prej një viti ai ishte aktivizuar tek “Djemtë e detit” dhe ishte pjesë e formacionit bazë në dy ndeshjet e skuadrës së Teutës kundër Ventspilis në kualifikimet e Europa Ligës.

Futbollisti më i ri i Gjilanit, Gerhard Progni gjithashtu ishte pjesë e rëndësishme e shpresave të Shqipërisë, me të cilat kishte bërë mbi 10 paraqitje, duke realizuar edhe dy gola në fanellën e kuqezinjve.

Progni nga sot i është bashkangjitur skuadrës në Mavrovë, vend ku Gjilani po i vazhdon përgatitjet parasezonale. 


(Kosova Sot Online)