Ramos pas humbjes turpëruese: Ne luajtëm lojë miqësore, Atletico luajti sikur të ishte finale

  • 27 July 2019 - 11:27
Ramos pas humbjes turpëruese: Ne luajtëm lojë miqësore, Atletico luajti sikur të ishte finale

Kapiteni Sergio Ramos ka thënë se Real Madridi i tij nuk guxon të humbasë në mënyrë kaq të turpshme kundër Atletico Madridit, pas disfatës dërrmuese 7:3 të premten.

Reali përjetoi humbje të turpshme ndaj rivalit të hidhur, Atleticos në International Champions Cup në SHBA, në një ndeshje në të cilën shkëlqeu Diego Costa duke i shënuar katër gola.

Atletico udhëhoqi 4:0 pas vetëm 28 minutave lojë dhe 5:0 pas pjesës së parë, ndërsa Reali i Zinedine Zidane nuk mundi t’i shënojë më shumë se tri gola në gjithë ndeshjen. 

Edhe pse ishte vetëm një ndeshje përgatitore, rezultati final ishte shkatërrues për Realin.

“Natyrisht se nuk ndihemi shumë mirë tani. Por sapo kemi nisur, këto janë ndeshje përgatitore për të na ndihmuar ta arrijmë nivelin kulminant. Ekzistojnë shumë mënyra për të humbur, por ne nuk guxojmë të humbasim si sot”, tha Ramos.

“Ky është dallimi në futboll. Ne luajtëm një lojë miqësore, ndërsa ata luajtën sikur të ishte finale. Ne duhet ta kemi këtë intensitet në çdo ndeshje. Ata ishin më të mirë se ne sa i përket intensitetit, topave të dytë, presionit dhe ishin të mirë para golit po ashtu”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)