“Futbolli i bukur nuk t’i fiton ndeshjet, të luash mirë nënkupton të fitosh”

  • 28 July 2019 - 09:10
“Futbolli i bukur nuk t’i fiton ndeshjet, të luash mirë nënkupton të fitosh”

Diego Godin i ka sulmuar kritikët të cilët e kanë akuzuar Atletico Madridin se nuk luan futboll të mirë, duke thënë se futbolli i mirë nuk t’i fiton ndeshjet.

Qendërmbrojtësi uruguaian i kaloi nëntë vjet në Atletico para se t’i bashkohej Interit këtë verë. Ai e ka pasur një periudhë të suksesshme në kryeqytetin spanjoll, duke e arritur dy herë finalen e Ligës së Kampionëve dhe duke e fituar La Ligën.

Përkundër suksesit që Diego Simeone e ka pasur në Wanda Metropolitano, ai ka qenë subjekt i kritikave për shkak të mënyrës negative në të cilën e ka arritur atë.

Godin i ka kundërshtuar kritikat gjatë një interviste me gazetën italiane Gazzetta dello Sport.

“Do të pyesja, çfarë do të thotë të luash mirë? Unë mendoj se ekzistojnë dy gjëra të ndryshme: tjetër gjë është të luash ‘bonito’, të luash mirë. Dhe tjetër gjë është të luash mirë”, tha ai.  

“Për mua të luash mirë është të fitosh. Fitorja arrihet duke u mbrojtur mirë dhe duke sulmuar mirë”, shtoi ai.

“Ka shumë ekipe që luajnë futboll të bukur, duke e mbajtur topin për ku ta di unë sa minuta, por në fund ato humbin. Ato nuk janë të kompletuara dhe ky nuk është futboll i mirë. Gjëja më e rëndësishme është rezultati”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)