Reagon Klopp pas humbjeve të njëpasnjëshme parasezonale

  • 29 July 2019 - 08:32
Reagon Klopp pas humbjeve të njëpasnjëshme parasezonale

Jurgen Klopp ka këmbëngulur se Liverpooli do të jetë një “kafshë” ndryshe gjatë sezonit të ri, pasi tregoi formë shumë të dobët gjatë ndeshjeve përgatitore parasezonale.

Të kuqtë do të përballen me Manchester City në Community Shield të dielën e ardhshme, para se ta presin Norwichin në Anfield në ndeshjen e tyre hapëse në sezonin e ri në Premierligë më 9 gusht.

Një ecuri prej një barazimi dhe tri humbjeve në katër ndeshjet e fundit parasezonale, kulmoi me humbjen bindëse 3:0 kundër Napolit të dielën në mbrëmje në Skoci.

Pas ndeshjes, Klopp tha se kjo formë do t’i bëjë kundërshtarët e Liverpoolit të mendojnë se do të jetë e lehtë ta mposhtin kampionin evropian.

Klopp nuk mundi të llogarisë në lojtarët kryesorë në këto ndeshje, si Mohamed Salah, Alisson Becker, Sadio Mane dhe Roberto Firmino, të cilët ishin në detyrë me kombëtaret e tyre përkatëse, derisa Xherdan Shaqiri dhe Naby Keita janë të lënduar.

“Të mos i kesh gjashtë lojtarë është e çuditshme. Ndodh t’i humbasësh disa lojtarë gjatë përgatitjeve parasezonale, ndodh kohë pas kohe, por këtë vit ata as që luajtën bile dhe fakti që do t’i bashkohen ekipit dy ditë para se të nisë sezoni nuk është në rregull”, tha Klopp.

“Kështu janë gjërat, i kemi përgatitur të gjithë sa më mirë. Nëse kundërshtarët na analizojnë tani, do të mendojnë se do të jetë e lehtë të na mposhtin. Ama ne do të jemi kafshë tjetër javën e ardhshme”, shtoi Klopp. 

(Kosova Sot Online )