Ronaldo: Shpresoj se do të kthehem në Madrid së shpejti

  • 30 July 2019 - 07:54
Ronaldo: Shpresoj se do të kthehem në Madrid së shpejti

Sulmuesi portugez i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se ai shpreson të kthehet në Madrid së shpejti, përderisa u shpërblye me çmimin e të përditshmes spanjolle Marca, “Leyenda”.

Ylli portugez e kaloi një dekadë në Real Madrid, ku i fitoi katër nga pesë Topat e tij të Artë dhe katër tituj të Ligës së Kampionëve, si dhe dy tituj të La Ligës dhe dy tituj të Kupës së Mbretit. Ai kontribuoi me 450 gola në vetëm 438 ndeshje për klubin.

Ai u shpërngul në Itali për t’iu bashkuar bardhezinjve verën e kaluar në kërkim të një sfide të re, por ai e pranon se atij i mungon kryeqyteti spanjoll dhe se ishte i mërzitur që e detyrua t’i lërë prapa “Los Blancos”.

“U ndjeva keq kur e lash Real Madridin. Më mungon edhe Mançesteri, edhe Madridi. Por, për shkak të rrethanave të jetës, unë kam jetuar më shumë vjet në Madrid. Fëmijët e tij dhe vajza ime lindën këtu, kështu që më mungon Madridi më shumë”, tha Ronaldo gjatë ceremonisë.

“Kjo trofe do të vendoset në një vend të mirë në muzeun tim. Madridi është i veçantë. Unë udhëtoj shumë, por ka shumë pak qytete që janë si Madridi. Një pjesë e madhe e këtij çmimi më vjen për shkak të gjërave që i bëra në Madrid”.

Ronaldo foli edhe për ambiciet e tij si fëmijë, titullin që ai e vlerëson më së shumtri dhe shpresat e tij për Ligën e Kampionëve gjatë sezonit të ardhshëm.

“Unë nuk kam menduar kurrë se do ta arrijë këtë nivel. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë vetëm të jem futbollist profesionist”, shtoi Ronaldo.

“Të gjithë titujt janë të rëndësishëm, mirëpo më i veçanti mund të jetë trofeu i EURO 2016. Nuk është e njëjtë të fitosh diçka për vendin tënd dhe ti e di se është më e vështirë. Kjo është gjëja më e rëndësishme në karrierën time”.

“Nuk e di nëse do ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm me Juventusin. Ne do të tentojmë, si gjithmonë. Shpresoj se Juventusi do të fitojë”. 

(Kosova Sot Online)