SHBA: Ekipi i vajzave e akuzon Federatën për hile

  • 30 July 2019 - 08:18
SHBA: Ekipi i vajzave e akuzon Federatën për hile

Ekipi kombëtar i vajzave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka akuzuar Federatën e vet të Futbollit për “hile”, duke argumentuar se ato paguhen më pak sesa djemtë e ekipit kombëtar.

Vajzat e SHBA-së e filluan padinë ligjore ndaj Federatës së vet të Futbollit për paga të barabarta në mars, katër muaj para se ta mbronin titullin e Kupës së Botës.

Të hënën, Federata e Futbollit e SHBA-së tha se ekipi i vajzave është paguar më shumë sesa ekipi i djemve gjatë dekadës së fundit.

Këtë deklaratë e kundërshtoi menjëherë ekipi i vajzave, duke thënë se shifrat e publikuara nga Federata janë plotësisht të rreme.

“Ky është një tentim i dobët i Federatës së Futbollit të SHBA-së për ta shuar mbështetjen e fuqishëm që ekipi kombëtar i vajzave e ka marrë nga të gjithë, duke filluar nga tifozët e deri te sponsorët në Kongres”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga ekipi kombëtar.

“Federata e ka pranuar vazhdimisht se nuk i paguan në mënyrë të barabartë vajzat dhe se nuk beson se vajzat e meritojnë të paguhen njëjtë me djemtë”.

Në një letër të hapur, presidenti i Federatës, Carlos Cordeiro, ka thënë se ai kishte kërkuar që të bëhej një analizë e thellë për aspektin financiar të Federatës përgjatë dhjetë vjetëve të fundit.

“Vajzat e ekipit kombëtar e kanë të garantuar një pagë bazë prej 100 mijë dollarësh, ndërsa djemtë nuk e kanë asnjë pagë të garantuar dhe paguhen vetëm për kampet stërvitore, ndeshjet dhe marrin bonuse”, thuhet në letrën e presidentit Cordeiro.

“Federata gjithashtu i paguan edhe vajzat që luajtën në ligën tonë të futbollit me një pagë bazë prej 67 mijë deri në 72 mijë euro, përderisa djemtë që luajnë në MLS nuk marrin pagë të tillë nga Federata. Djemtë e ekipit kombëtar marrin bonuse më të mëdha, por atyre nuk u garantohet asgjë”.

Në letrën e tij gjithashtu thuhet se ekipet e djemve dhe vajzave paguhen në struktura të ndryshme për shkak se secila skuadër e zgjodhi vetë mënyrën se si dëshiron të negociojë me Federatën e Futbollit të SHBA-së.

Megjithatë, ekipi kombëtar i vajzave ka bërë të ditur se e ka refuzuar propozimin, duke e quajtur atë si definicionin e vërtetë të diskriminimit gjinor.

“Fakti është se ekipi i vajzave kërkoi strukturë të njëjtë kompensimi si të djemve, kështu që ato do të fitonin barabartë me djemtë për paraqitje të barabarta”, thuhet në reagimin e kontratës.

“Federata refuzoi, duke propozuar që të ketë më pak kompensime për ekipin e vajzave në secilën kategori. Kjo është qartësisht pagë e pabarabartë. Letra e Federatës me “fakte” nuk është “qartësim”, është hile. Ja çfarë s’mund të mohojnë ata”.

“Për çdo ndeshje që djemtë e luajë me ekipin kombëtar, ata paguhen më shumë para se paga bazë e vajzave të ekipit kombëtar. Për çdo fitore ose barazim në gara të krahasueshme, bonusi i tyre është më i madh”.

(Kosova Sot Online)