Policia i mbyll hetimet ndaj Neymarit për përdhunim

  • 30 July 2019 - 08:49
Policia i mbyll hetimet ndaj Neymarit për përdhunim

Policia braziliane ka bërë të ditur se e ka mbyllur rastin e akuzës për përdhunim ndaj futbollistit brazilian të Paris Saint-Germainit, Neymarit, për shkak të mungesës së provave.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Sao Paulos ka thënë se rasti i akuzave ndaj Neymarit është suspenduar për shkak të mungesës së provave, mirëpo do të dërgohet te prokurorët për një vendim përfundimtar.

Hetimet filluan kur modelja braziliane, Najila Trindade, e akuzoi futbollistin se e kishte sulmuar atë në një hotel në Paris të Francës, në maj të këtij viti.

Neymari i mohoi këto akuza, duke thënë se marrëdhëniet e tyre ishin konsensuale.

Ky lajm u bë fillimisht i ditur në qershor, kur ylli i Paris Saint-Germainit e publikoi një video shtatë minutëshe në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, duke zbuluar se ishte akuzuar për përdhunim.

Ai gjithashtu i publikoi mesazhet dhe fotografitë që ia kishte dërguar Najila Trindade në Whatsapp, në tentim për të dëshmuar se ai nuk e kishte dhunuar vajzën në fjalë.

Trindade pastaj e bëri një intervistë në një televizion brazilian, duke publikuar edhe pamje dhe një video nga një zënkë e tyre në hotelin në Paris.

Policia më vonë e filloi edhe një padi ndaj Trinadades, e cila e akuzoi policinë se ishte e korruptuar. Për më tepër, modelen e braktisën disa avokatë radhazi gjatë kësaj padie ndaj Neymarit.

Prokurorët tani i kanë 15 ditë për ta vlerësuar rastin, para se gjykatësi ta marrë vendimin përfundimtar. 

(Kosova Sot Online )