Feronikeli sonte synon fitore ndaj Slovan Bratislavas për t’u shkruar në histori

  • 30 July 2019 - 10:28
Feronikeli sonte synon fitore ndaj Slovan Bratislavas për t’u shkruar në histori

Feronikeli e ka mundësinë e dytë për t’u shkruar në histori si klubi i parë kosovar që e fiton një ndeshje të rretheve kualifikuese në garat evropiane. Për ta arritur këtë qëllim, klubit drenicas i duhet sonte fitore kundër Slovan Bratislavas.

Feronikeli do ta presë kampionin e Sllovakisë, Slovan Bratislavan, për ndeshjen kthyese të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Evropës. Në këtë ndeshje, drenicasve u duhet fitore me rezultat 1:0 apo çfarëdo fitore tjetër me epërsi prej dy golash.

Shpresat e kampionit kosovar për ta vazhduar rrugëtimin në Evropë u vështirësuan pas disfatës me rezultat 2:1 në ndeshjen e parë kundër Slovan Bratislavas, e cila u zhvillua të mërkukrën e javës së kaluar, në “Tehelne Pole Stadion”.

Goditjen e parë në atë ndeshje kosovarët e morën qysh nëntë minuta pasi filloi ndeshja, kur shënoi Nono, ndërsa epërsia e Slovan Bratislavas u dyfishua në minutën e 62-të, kur Andraz Sporar u tregua i saktë nga pika e 11-metërshit.

Për t’i përmirësuar gjasat e Feronikelit për ta vazhduar rrugëtimin drejt kualifikimit në Ligën e Evropës, Mendurim Hoti e shënoi golin e vetëm për kosovarët vetëm pesë minuta më vonë, në minutën e 67-të.

Nëse arrin ta fitojë këtë ndeshje, Feronikeli do të bëhet klubi i parë kosovar që fiton ndeshje të rrathëve kualifikuese në garat evropiane, pasi që më parë klubet nga Kosova kanë fituar vetëm ndeshje të rrathëve paraeliminatore.

Një mundësi për t’u shkruar në histori me këtë sukses Feronikeli e pati këtë sezon edhe në Ligën e Kampionëve, mirëpo përballja me New Saints në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nuk përfundoi siç kishte dashur skuadra e Zekirija Ramadanit, pasi që ndeshjen e parë e humbi me rezultat 1:0, ndërsa ndeshjen e dytë e barazoi me rezultat 2:2.

Kjo është hera e parë që Feronikeli po garon në Evropë. Ndeshjen e parë në garën më prestigjioze të kontinentit, Feronikeli e zhvilloi kundër Lincoln Red Imps dhe pastaj kundër Santa Colombas, të dyja në rrethin paraeliminator të Ligës së Kampionëve.

Përkundër që Slovan Bratislava ka përvojë më të madhe – kjo është hera e dhjetë që ata garojnë në Evropë – mbrojtësi Ylli Hoxha u shpreh optimist për gjasat e skuadrës së tij në këtë përballje.

“Në çdo ndeshje kemi nevojë për tifozë. Besoj që do të mbushet stadiumi duke parë edhe faktin se kemi përballë një kundërshtar të fortë. Do të mundohem ta jap maksimumin në këtë ndeshje, besoj që kemi forcë për kualifikim tutje pasi që kemi lojtar shumë kualitativ në skuadër” tha Hoxha.

Nëse arrin të kualifikohet në rrethin tjetër, Feronikeli do të garojë në kuadër të grupit të dytë të rrethit të tretë kualifikues në Ligën e Evropës, ku garojnë edhe tre fitues të ndeshje të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Evropës, pesë humbës të ndeshjeve të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve dhe Sarajeva, si klubi i vetëm humbës në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

(Kosova Sot Online )