Agjenti, i pasigurt për të ardhmen e Jamesit: Pyeteni Florentino Perezin

  • 30 July 2019 - 10:44
Agjenti, i pasigurt për të ardhmen e Jamesit: Pyeteni Florentino Perezin

Menaxheri i James Rodriguezit, Jorge Mendes, nuk është në dijeni se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e futbollistit të Real Madridit, mirëpo e do më të mirën për të dy palët – klubit dhe lojtarin.

I kërkuar nga Atletico Madridi dhe Napoli – James Rodriguez mori pjesë në stërvitjet e turneut parasezonal të Real Madridit për herë të parë të hënën.

Rivali i qytetit, Atletico Madridit, dhe klubi i Serisë A, Napoli, janë në garë për transferimin e Jamesit këtë verë, pasi që ylli kolumbian i kaloi dy sezonet e kaluara i huazuar te kampioni i Bundesligës, Bayern Munichu.

Kolumbiani iu bashkua Real Madridit nga Monaco në vitin 2014, pasi kishte shkëlqyer me ekipin kombëtar të Kolumbisë në Kupën e Botës në Brazil po atë verë.

Gjatë kohës së tij në Madrid, Jamesi i shënoi 36 gola në 111 paraqitje, përderisa e fitoi një herë titullin e La Ligës dhe dy herë atë të Ligës së Kampionëve, si dhe dy tituj të Super Kupës Evropiane dhe dy të Kupës së Botës për Klube.

Megjithatë, kolumbiani nuk është pjesë e planeve të Zinedine Zidane, i cili e dërgoi atë në huazim për dy vjet në Bayern Munich, ku James i shënoi 15 gola. Në fund, Bayerni vendosi të mos e shfrytëzojë opsionin për ta blerë në mënyrë permanente kolumbianin.

Si rezultat i kësaj, e ardhmja e tij ka mbetur në dyshim dhe agjenti i tij, Mendes, insiston se as ai vetë nuk është në dijeni se çfarë do të ndodhë me karrierën e klientit të tij.

“Duhet ta pyeteni presidentin [e Real Madridit, Florentino Perezin], i cili është këtu pranë meje. Unë vetëm e dua më të mirën për lojtarin dhe për klubin”, tha Mendes gjatë ceremonisë së çmimeve, të organizuar nga e përditshmja spanjolle, Marca.

Real Madridi ka shpenzuar shumë para këtë verë, duke e përforcuar skuadrën me lojtarë si Eden Hazardi, Luka Jovici, Ferland Mendy, Eder Militao dhe Rodrygo. Kjo e bën edhe më të vështirë qëndrimin e Jamesit në “Santiago Bernabeu”. 

(Kosova Sot Online)